Në një pasiguri, si murtaja e ditëve tona që mori emrin COVID-19, përftohet pasiguri e fragjilitet që megjithatë prodhon sinqeritet, kreativitet e përsosmëri. Por kjo psikozë e fundbotshme mund të jetë edhe njëfarë “domosdoshmërie” për ta ndërmendur njeriun se kjo botë ende ka shumë të panjohura. Në një bisedë për KOHËN, regjisori Isa Qosja ka folur për krijimtarinë artistike në kohëra të tilla.
Sipas tij, “kjo kohë e koronavirusit do të ketë artikulimin e vet në të gjitha artet në botë”. Duke folur mbi filmat distopikë të Andrei Tarkovskyt – ku, sipas tij, ka njerëz që bredhin brenda shkretëtirës shpirtërore dhe efemerisë – Qosja e ka quajtur regjisorin rus si një vizionar të pakontestueshëm që shestoi edhe hapësirën e sotme në veprat kinematografike. Derisa ka shprehur bindjen se në vitet në vijim do të ketë një hop të filmave me syzhe post-apokaliptikë, ai ka vlerësuar se në “kinematografinë tonë nuk kemi një vokacion të tillë që ka një gramatikë të qartë me porosi të fuqishme”.
Ka përmendur edhe filmin e tij më të ri “Stroke”, xhirimet e të cilit patën nisur verën e kaluar. Ka bërë me dije se ky film – që ka si temë vendlindjen e tij, Vuthaj – është në fazën e post-produksionit.
I lindur më 1949 në Vuthaj të Plavës, Isa Qosja është një nga regjisorët më të njohur shqiptarë. Fryt i krijimtarisë së tij janë plot filma artistikë e dokumentarë që janë laureuar me çmime në festivale të ndryshme. Prej më të njohurve përmenden: “Proka”, “Rojat e mjegullës”, “Kukumi” dhe “Tri dritare dhe një varje”. Qosja është ligjërues i regjisë së filmit në Fakultetin e Arteve.
“Koha Ditore”: Z. Qosja, tash e tre muaj e gjithë jeta në vend u paralizua për shkak të pandemisë botërore COVID-19. “Të jetosh në ishull”, “Dashuri në kohërat e kolerës”, “Kështjella”, “Murtaja” janë veç tituj librash që asocionin në mënyrat e tyre me gjendjen e atillë. Ndërkohë edhe jeta kulturore zyrtarisht u pezullua sa u përket aktiviteteve. E ndjenit këtë si psikozë eskatologjie?
Qosja: Titujt që i përmendët nuk janë vetëm tituj librash por edhe filmash, dhe përmes tyre e kemi njohur sado pak një kohë të cilën nuk e kemi përjetuar. Edhe si libra, por edhe si filma, disa prej tyre të veshin me emocione të ngjeshura për kohën dhe njerëzit që e kanë jetuar atë gjendje. Në një mënyrë, sot ne jemi protagonistë të një kohe tjetër, por me momente të ngjashme apo të njëjta psikoze. Duhet pranuar se secili njeri sot ka një projeksion të ri të së mundshmes së paparashikuar dhe kjo na bën të jemi më fragjilë, më të ndjeshëm, më të pasigurt…Në këtë fragjilitet e pasiguri njeriu ia hap derën ndjeshmërisë dhe kjo ndjeshmëri prodhon më shumë sinqeritet, kreativitet e përsosmëri, si dhe psikozë. Do të thosha psikozë e atij lloji që ndonjëherë edhe neve duhet që diçka të na e tërheqë vërejtjen se në këtë planet ka shumë të panjohura. Gjithsesi që e panjohura prodhon frikë, por ajo mposhtet me pozitivitet dhe parime. Personalisht isha plotësisht i qetë edhe pse gjithandej qarkullonte një hije kërcënuese për të gjithë. Megjithatë jam i bindur se edhe kjo mund të mposhtet me fuqinë e mendjes dhe vlerave të tjera njerëzore.
“Bota nuk do të jetë më kurrë siç ka qenë”
“Koha Ditore”: Tani kur ka njëfarë psherëtime të lehtësimit tok me shtendosjen e masave, nganjëherë i gjithë ai ankth e angështi ngjan posi një ëndërr. Ishim vërtet ne ata njerëz dhe mos e ekzagjeroni frikën, sikur themi nga “komoditeti” i tashëm. Por a mund t’i rikthehemi normalitetit ashtu siç ishim apo e përbrendshmja jonë, psikika jonë, ka pësuar një shndërrim të tillë sa asgjë më s’do të jetë e njëjtë si më parë?
Qosja: Tani e shoh me shumë dyshim këtë “çlirim” nga psikoza e COVID-19. Sado që të gjithë mendojnë se virusi ka shkuar gjëkundi, ndjenja se mund të rikthehet edhe më i hidhëruar ka mbetur në mendjen tonë. Pra ne jemi nën pushtimin e një gjendjeje që si asnjëherë më parë na ka frikësuar në palcë. A do të çlirohemi nga kjo gjendje? Jo të gjithë…ka të tillë që janë frustruar mjaft me arrest shtëpiak dhe ata do të mbeten nga pak të damkosur. Ka të tillë që i kanë humbur të afërmit dhe nuk kanë qenë në gjendje të jenë pranë tyre në momentet e fundit. Edhe kjo do të mbetet një kujtesë e vrugët, e paharrueshme. Ka shtete që nuk do të rimëkëmben lehtë apo kurrë dhe ka të tilla që mund t’i kthehen shpejt normalitetit. Megjithatë unë mendoj që bota nuk do të jetë më kurrë siç ka qenë. E kemi parë sa qenie fragjile është njeriu dhe sa e paaftë është teknologjia karshi një goditjeje si kjo nga COVID-19. Planeti u gjunjëzua dhe u shkretua në moment dhe kjo na dukej sikur po jetojmë në një kohë tjetër, në një planet tjetër. E pabesueshme!