Dera hyrëse e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” vazhdon të mbetet e mbyllur për lexuesit, që nga mesi i marsit të këtij viti.
Lexuesit nuk kanë qasje në sallat e leximit dhe as të shkëmbimit të librave. Kjo pasi që faza e tretë e masave lehtësuese ndaj pandemisë nuk e ka paraparë hapjen e plotë të bibliotekave.
Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, thotë se ky institucion po funksionon në bazë të një udhëzimi administrativ që përcakton se vetëm stafi duhet të ketë qasje në këtë objekt.
Ai ka kërkuar sqarime shtesë nga institucionet përkatëse.
Gajraku shton se janë duke hulumtuar modelet rajonale për mundësitë e rikthimit të lexuesve në bibliotekë.
E mbyllur për lexuesit, pas masave lehtësuese, vazhdon të mbetet edhe biblioteka e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”.
Drejtori i këtij institucioni, Munish Hyseni, i ka thënë KTV-së nëpërmjet telefonit se nuk kanë marrë sqarime nga institucionet relevante sesi duhet vepruar tutje.
“Asnjë dokument apo udhëzim nuk ka ardhur në adresë të bibliotekës sonë sesi të vazhdojmë punën. Stafi ynë, që nga data një qershor, është duke u paraqitur në punë dhe meqenëse biblioteka është e mbyllur, ne jemi angazhuar në sistemimin e librave që kërkohet në bazë të standardeve. Kërkesat e lexuesve janë të shumta për në sallë të leximit dhe shkëmbimit të librave. Shpresojmë që shumë shpejt biblioteka të jetë e qasshme”.
Në fazën e tretë të masave lehtësuese nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ishte përfshirë hapja e teatrove dhe kinemave, por ato janë të mbyllura sikurse bibliotekat me arsyen se mund të jenë vatra në përhapjen e virusit COVID-19.