Kulturë

Kulla e Sylejman Vokshit e rrethuar nga shumëkatëshet pret restaurimin

Kulla e Sylejman Vokshit e rrethuar nga shumëkatëshet pret restaurimin
Kulla e Sylejman Vokshit u ka bërë ballë betejave e dy shekujve, por jo edhe ndërtimeve që ia kanë zënë pamjen. Institucionet e kanë lënë në harresë, ani pse disa herë kanë premtuar se do të ndërhyjnë së shpejti. Gjendja e mjerueshme është edhe brenda katit të sipërm të Kullës

Pamja e jashtme e Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë tregon se monumenti është në rrezik. Pos kësaj, rrezikon edhe njërin prej pronarëve që banon në ndërtesë e edhe ata që jetojnë në objektin që është i ngjitur për monument. Por imazhi i mjerueshëm i Kullës së shekullit XVIII mund t’u bjerë në sy vetëm atyre që i ofrohen enkas për ta shikuar. Është rrethuar krejtësisht me ndërtesa dhe nuk shihet nga Çarshia e Madhe apo ndonjë pjesë tjetër e qytetit. Objekti banesor që kishte nisur të ndërtohej në shkurt të këtij viti tashmë numëron shtatë kate pos bazës. Gjendet rreth 10 metra larg “Mejtepit Ruzhdije”, po ashtu monument i mbrojtur, e nja 30 prej Kullës. E ka izoluar krejtësisht monumentin në raport me Çarshinë. Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte manipuluar me dokumente për t’i hapur rrugë shumëkatëshes. E Ministria e Kulturës kishte heshtur përballë situatës. Ky institucion, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, ka ndarë 50 mijë euro për restaurimin e objektit dykatësh që gjendet në qendër të Gjakovës.

Naser Kalaveshi, që është rrobaqepës me profesion, është një nga bashkëpronarët i cili jeton në Kullë. Mund të shfrytëzojë vetëm katin e parë pasi i dyti paraqet rrezik. Kati i sipërm që dikur i kishte shërbyer Sylejman Vokshit – që njihet si gjenerali i Lidhjes së Prizrenit – për të pritur mysafirët është në gjendje të rëndë. Pos që s’bëhet fjalë për të jetuar aty, tavani ka rënë në disa hapësira. Aty prej ku Vokshi mund të ketë parë Kullën e Avdullah Pashë Drenit e varrin e Mehmet Ali Pashë Maxharrit ka ndryshuar gjendja. Nuk mund të jetohet më, as nuk mund të shihet Çarshia. Shumëkatëshet e kanë bërë të veten. Midis monumenteve në shtatorin e vitit 1878 pas një beteje ishte vrarë Mehmet Ali Pasha, që si vartës i Portës së Lartë punonte që Plava e Gucia t’i takonin Malit të Zi. Naser Kalaveshi ngurron të flasë për gjendjen e ndërtesës. Derisa ka rrudhur krahët, ka thënë se ajo flet vetë. S’ka fare besim në institucione.