Kulturë

Filarmonia akordohet për normalitet, koncertet me publik ende larg

Filarmonia akordohet për normalitet, koncertet me publik ende larg
Instrumentistët e Filarmonisë së Kosovës në grupe dhe dhoma të ndara, të mërkurën, në prova për koncertet e radhës

Entela Çarkaxhiu i është bashkuar Filarmonisë së Kosovës në fillim të këtij viti. Më 1 mars, instrumentistja e re interpretoi për herë të parë si anëtare e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Vendimet e Qeverisë së Kosovës më 12 mars për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit e kanë bërë violinisten që nga ajo kohë të mos vijë në vendin e ri të punës. Të martën e kësaj jave, pas shkëputjes prej më shumë se dy muajsh, ajo së bashku më kolegët e tjerë u janë kthyer përsëri partiturave në sallën ku ushtrojnë zakonisht. Muzikantët në grupe të ndara po përgatiten për koncertet e radhës të Filarmonisë së Kosovës.

Kjo formë e re i ka bërë instrumentistët që të punojnë në orare të ndryshme. Instrumentistët e institucionit më të lartë muzikor në vend po vazhdojnë përgatitjet për programin për vitin 2020 derisa po ushtrojnë për tri koncerte të radhës, duke përfshirë edhe koncertin e madh vokalo-instrumental që planifikojnë ta mbajnë gjatë gushtit në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës. Në këtë koncert do të sjellin premierë një prej veprave më të njohura të muzikës klasike, Carmina Burana të kompozitorit gjerman Carl Orff.