Kulturë

Nisin përgatitjet për “Prishtina Fashion Nights”

Për të 16-tën herë, bota e bukurisë është bashkuar për të sjellë netët e modës në Prishtinë.

Mysafirët nuk do të jenë të shumtë, e çdo gjë është planifikuar të zhvillohet ndryshe, por glamuri i “Prishtina Fashion Nights” nuk do të mungojë as këtë vit.

Organizimi ka nisur, e ndonëse sfidë për organizatorët, “Prishtina Fashion Nights” pritet të mbahet më 17 qershor.

Çdo edicion i netëve të modës në Prishtinë, karakterizohet me foton paralajmëruese të sfilatës, fytyrë e së cilës, këtë vit do të jetë Miss Universe Kosova.

Edhe këtë edicion, fotografitë e kësaj ngjarjeje janë shkrepur nga fotografi Veton Osmani, raporton KOHA.

“Prishtina Fashion Nights”, gjithmonë sjell një copëz nga moda e lartë në botë.

Të përzgjedhur me shumë kujdes, disenjatorët dhe artistët e grimit e flokëve, bëjnë që kjo sfilatë të na çojë në javët e modës në Paris.

Ky edicion është edhe fillim i bashkëpunimeve të reja. Kësaj radhe, për pamjen e modeleve të B Models, do të përkujdeset shkolla për frizerë “Chamellias”.

“Prishtina Fashion Nights” organizohet nga B Models dhe IB Events dhe transmetohet vetëm në Kohavision.