Kulturë

Ëmbëlsirat që shkrijnë shije, art e traditë

Festat e datat e rëndësishme nuk mund të shënohen pa ëmbëlsirë. Nisur nga kjo, “industria” e prodhimit të ëmbëlsirave është zhvilluar dukshëm kohëve të fundit në Kosovë. Në fakt, ka gjithnjë e më pak ëmbëlsira të një kohe më të vjetër, por gjithnjë e më shumë lloje të reja të ëmbëlsirave. Gjithnjë e më shumë vajza e gra, por edhe djem e burra, po përfshihen në këtë zanat.

Tregtia online është ajo që po ua mundëson këtyre prodhueseve që të prezantojnë prodhimet e veta, e t’i shesin ato.

Një kërkim me fjalën kyçe “ëmbëlsirë” dhe zgjedhje e rastësishme e tre prej tyre, shpërfaq po kaq histori të personave që së fundi kanë nisur të merren me këtë punë. Pasioni dhe dashuria për punën që bëjnë janë emërues i përbashkët i të treve.

Lidhja emocionale me porosinë e klientit

Xhenneta Llapashtica-Isma është një grua dhe nënë, teknike e stomatologjisë dhe ekonomiste e diplomuar, e cila zgjodhi që pasionin për gatimin jo vetëm që mos ta lërë që të shuhet, por që ta kthejë në një punë.

Ajo thotë se secila familje i ka traditat e veta të përgatitjes së ëmbëlsirave, e veçmas kur me to shënohen ditëlindje, përvjetorë apo data të tjera të rëndësishme të familjes.

“Ashtu edhe ne si familje çdoherë datat e shënuara i kemi pritur e festuar me ëmbëlsira”, thotë Llapashtica-Isma.

Nuk është e mundshme ta kujtojë saktë kohën kur ajo ka filluar të marrë pjesë në përgatitjen e një ëmbëlsire.

“Por di të them që kam qenë ende në shkollë fillore dhe kam mësuar nga halla ime e cila e ka pasur pasion përgatitjen e tyre”, tregon ajo.

E kap njëlloj nostalgjie kur e kujton të kaluarën.

“Çdoherë kujtoj modestinë e përgatitjes së një ëmbëlsire në kushtet e atëhershme. Edhe një pandispanjë e thjeshtë me sherbet përmbi ka shijuar pa masë”, thotë ajo, teksa kujton edhe rastet, veçmas në prag të festës së Bajramit kur me shoqe shkëmbenin receta të ndryshme gatimi.

“Ëmbëlsirën e gatuar në një Bajram, kurrë nuk e kam përsëritur në Bajramin tjetër”, thotë Llapashtica-Isma.

Ajo thotë se ëmbëlsirën e bën të veçantë mënyra e përgatitjes, më shumë sesa një recetë unike.

“Unë mundohem që të lidhem emocionalisht me rastin e klientit, kur e gatuaj ëmbëlsirën”, thotë ajo.

Xhenneta thotë se ky pasion i saj është art më vete, meqë si një artist, edhe ajo thotë se shpik apo ndryshon diçka nga një recetë ekzistuese. E kur krahason me të kaluarën, thotë se mënyra e përgatitjes dallon shumë nga viti në vit, e lëre më me një të kaluar më të largët.

“Sot është shumë më e lehtë të bësh një ëmbëlsirë edhe të bukur, edhe të shijshme, falë pajisjeve që ka tregu”, thotë ajo.

Ndonëse ndryshime të mëdha në mënyrën e përgatitjes, Llapashtica-Isma nuk sheh rrezik që ky zanat të zhduket ndonjëherë.

“Sepse çdo ditë festojmë data të rëndësishme”, thotë ajo

Llapashtica-Isma thotë se u përshtatet kërkesave të klientëve në shije e dekor të tortave, ndërsa është në gjendje të përgatisë nga ëmbëlsirat e thjeshta tradicionale deri te këto të trendeve të fundit.

Ajo ndihet e vlerësuar kur dikush e zgjedh që te ajo të bëjë porosi për ëmbëlsirë.

“Për vetë faktin që më japin mundësinë të jem e pranishme në festat e tyre, ndihem mjaft e vlerësuar”, thotë ajo.

Xhenneta është e kënaqur me nivelin e shitjes së produkteve të saj, e promovimin thotë se e bën tërësisht në rrjetet sociale. “Sa ëmbël” është brendi i saj, e kapacitet të prodhimit aktualisht thotë se ka në rreth 120 ëmbëlsira në muaj. Edhe shitja në 90 për qind të rasteve realizohet përmes rrjeteve sociale, por edhe përmes rekomandimeve të shoqërisë e familjarëve.

Të ardhmen e kompanisë së saj ajo e sheh në një ambient e staf të zgjeruar, me mundësi që të depërtojë edhe në qytete të tjera pos Prishtinës.

Biskotat që kujtojnë fëmijërinë

Vjollca Gashi është një tjetër grua, e re në moshë, që ka vendosur të vetëpunësohet. Thotë se është prej atyre që e ka pasur ëndërr gjithë jetën që të bëjë ëmbëlsira, e që realisht tash është duke e realizuar këtë ëndërr.

E kthehet te tradita, që buron nga pjesa veriperëndimore e Kosovës.

“Tradita ime familjare kryesisht buron nga Llapi, edhe pse unë kam lindur në Prishtinë. Nëna ime është llapjane, e po ashtu unë jam martuar në Llap. Frymëzimin dhe kulturën e gatimeve i kam nga nëna që ka qenë një duarartë, mendoj që ende nuk kam arritur të gatuaj si ajo”, thotë Gashi, që kthehet kur ka qenë rreth moshës nëntëvjeçare.

E kujton gatimin e saj të parë, që ka qenë në klasën e tretë të shkollës fillore. Recetën e kishte marrë nga shoqja e bankës.

“Ajo na sillte në klasë biskota të bëra nga nëna e saj. Unë ia kërkova recetën, dhe ajo ma solli të nesërmen. Unë po atë ditë i realizova, sigurisht me ndihmën e nënës sime dhe ia dola. Edhe sot i gatuaj ato”, thotë Gashi.

Receta e radhës e saj, e gatuar në moshë të re, Gashi e kujton se ishte një “manchmallow”.

E përsërit se mësimet dhe mënyrën e punës gjatë gatimit i ka marrë nga nëna e saj.

“Kam shumë kujtime të vjetra, por po e veçoj tëhollimin e petave të bakllavasë në sofër dhe shtrirjen e petëve në gjithë dhomën, për t’u tharë, metodë që më nuk praktikohet”, thotë Gashi, që me humor tregon se procedura e moçme s’ka shkuar pa “skandale”.

“Më kujtohet bartja e petëve me tëhollues deri në dhomën tjetër. Aty kam bërë skandale. Komplet petët me kanë rënë në dysheme, rrugës deri te dhoma tjetër”.

Me përvojën e fituar ndër vite, Vjollca thotë se ka receta që mendon se e veçojnë nga të tjerat, ndonëse nuk pretendon se është e vetmja që di t’i gatuajë ato.

“E veçanta ime është që i përgatis dhe i shijoj me dashuri”, thotë ajo.

Gashi, që shpreh bindjen se tradita ka rol të rëndësishëm në gatimin e ëmbëlsirave, vazhdon të gatuajë disa nga recetat e moçme, duke nisur nga bakllavaja, tespishte, ravani, e të tjera. Insiston ta quajë gatim sipas mënyrës llapjane këtë të përgatitjes së ëmbëlsirave tradicionale. Ndërsa ëmbëlsirat që i quan “Trio”, “Amber”, “Noel”, si dhe “cheesecakes” me shije të ndryshme, janë recetat e reja që i ka futur në menynë e saj. Mbase një mënyrë që kësaj here jo domosdo lidhet me Llapin.

“Cakes by Vjollca” është ndër brendet e reja që ka nisur në këtë industri, e ajo shprehet e kënaqur me shitje e fillimit. Patjetër se edhe ajo po përdor rrjetet sociale për të promovuar veten e produktet që bën. Thotë se momentalisht kapaciteti për prodhim nuk është aq i madh, meqë punon e vetme në shtëpi dhe i shet në bazë të porosive që i merr.

“Por punoj me shumë përkushtim”, thotë ajo, që e bëjnë të lumtur komplimentet që merr për gatimet e saj. E bëjnë edhe të shprehë plane të mëdha për të ardhmen, të cilat shpreson t’i arrijë shpejt me punë.

Lëvdatat dhe vullneti për punë

Se puna e prodhimit të ëmbëlsirave nuk u takon vetëm vajzave e grave, e dëshmon edhe Fatos Raqi. Student, 24-vjeçar, që krahas shkollimit ka vendosur të fitojë vetë. Punën thotë se e bën me vullnet e dëshirë të madhe, teksa ka rreth 7 vjet që merret me këtë zanat. Raqi e kujton se ëmbëlsira e parë e tij ka qenë në një festë Bajrami. Lëvdatat që do të merrte nga mysafirët ishin inkurajim për punë me shumë vullnet.

“Fillimisht kam menduar të bëj përgatitjen e ëmbëlsirave vetëm për familjen e rrethin e ngushtë, por duke parë se ëmbëlsirat e mia pëlqeheshin, e emri filloi të më përhapet, atëherë vendosa që ta hap biznesin tim”, thotë Raqi.

Mësimin thotë se e ka marrë nga bashkëshortja e tij, duke e shikuar se si ajo e bënte një ëmbëlsirë. Duke iu shtuar interesimi, nisi të shikonte video në YouTube, derisa sot ka arritur që të jetë profesionist. Thotë se fillimi s’ishte i lehtë, e kishte edhe gabime të vogla.

“Shpeshherë kujtoj kohët kur kam filluar dhe mendoj që çdo gjë e cila punohet me vullnet dhe me dëshirë do të ketë suksesin e saj”, thotë Raqi, që e tregon edhe një histori të fillimit që gati sa s’e kishte bërë që ta linte tërësisht këtë profesion.

“Kur më është bërë porosia e parë nga një restorant me emër të madh në Prishtinë, ku ishin përfshirë rreth 60 persona unë e dërgova porosinë ashtu siç ishte kërkuar. Ata e kishin shtyrë ceremoninë e tortës, por e kujtoj që 3 herë më ka thirrur menaxheri i restorantit që të shkoj ta marr tortën, sepse niste të shkrihej e të lëvizte nga forma. E ktheja që të ftohej, e dërgoja prapë. Isha aq i turpëruar, sa mendoja ta lija krejtësisht këtë punë. Më humbi vullneti, deri kur pasi përfundoi gjithçka më thirrën dhe më lavdëruan për ëmbëlsirën aq shumë sa ma ktheu sërish vullnetin që të vazhdoj”, tregon Raqi.

Ai thotë se çka e dallon mënyrën e punës së tij nga të tjerët, është përgatitja e petëve dhe e fillit.

“Edhe puna jonë me dekoret na bën të dallohemi nga të tjerët, sepse ne e pëlqejmë dhe kemi dëshirë ta bëjmë këtë punë”, thotë ai.

Gjithçka rreth një ëmbëlsire nis me punimin e petëve, pastaj prerjen e tyre në formën e kërkuar nga klienti, e ku secila petë lyhet me çokollatë të shkrirë e me fill të dy apo tre llojeve. Vendoset çokollatë e grimcuar apo fruta dhe pastaj vendoset të ftohet. Lyhet me krem, e pas kësaj vendoset “marcepani”, dhe krejt në fund dekoret e kërkuara.

Nën emrin “Amanda”, familja Raqi prodhon edhe ëmbëlsira tradicionale si bakllava, por edhe trileqe e ëmbëlsira dekorative. Edhe për Raqin, rrjetet sociale janë element kyç që, siç thotë ai, ka bërë që ky brend të jetë në nivelin çfarë është sot.

“Pa to puna jonë nuk do të ishte kaq e promovuar sa është sot”, thotë Raqi, i cili po kështu nuk e sheh të rrezikuar zanatin e tij.

“Mendoj se puna jonë çmohet shumë. Shpeshherë hasim në myshteri të cilët na falënderojnë dhe na japin më shumë vullnet në punën tonë”, thotë ai.

Raqi e quan interesante e me shumë sfida të reja të ardhmen e punës së tij.

“Çdoherë janë duke dalë shije e dekore të reja”, thotë ai.