Kulturë

Lëvizja katolike shqiptare e kundër-reformacionit vs. “ilirizmi” sllav

“Portret i Klementit VIII”, Dominicus Custos, 17.8 me 12.7 centimetra, gdhendje në letër, rreth vitit 1592 (The British Museum)

Kuria romane ishte padyshim qendra e projekteve ushtarake otomane gjatë shekullit XVI. Por, tani më duket që narracioni mobilizues ndryshoi. Ndonëse edhe në fund të shekullit XVI mund të dëgjoje për kryqëzatën, ajo nuk ishte dominuese në diskursin e ri. Tanimë nuk flitej për kryqëzatë si në mesjetë, kur duheshin liruar “tokat e shenjta”, por më shumë për mbrojtjen e tokave katolike nga kërcënimi otoman.

Në këtë kohë, kërcënimi otoman ishte real ndaj Vjenës e Italisë, por mobilizimi i këtyre i shteteve evropiane nuk mund të bëhej në kohën e re vetëm mbi premisa kryqëzate, pa përfshirë edhe motive e interesa tjera, politike, financiare, të prestigjit etj. Sidoqoftë, roli i kishës së Romës ende mbetej drejtues, së paku moral ndaj shteteve të krishtera të Evropës. Kjo varej edhe nga roli e forca e papëve të ndryshëm.

Nën Klementin VIII (1592-1605) pati arritje të shënueshme në politikë të jashtme, siç ishte bashkimi i Brestit më 1596, apo pajtimi i Henrikut IV të Francës një vit më herët, pastaj Paqja e Vervinsit ku papa Klementi ndërmjetësoi në mes Spanjës e Francës më 1598, e të tjera. Por, këto suksese të shënueshme të papës ambicioz mbetën pa një sukses të qëndrueshëm karshi otomanëve, kundër të cilëve ai ishte impenjuar me gjithë fuqinë.

Politika e Klementit VIII synonte që të nxiste popuj të ndryshëm të krishterë të kryengriteshin kundër otomanëve dhe, në anën tjetër, të përpiqej e të mobilizonte një kryqëzatë të kombinuar me shtete krishtere perëndimore evropiane, që do të ndërlidheshin me shtete të ndryshme krishtere të Evropës Qendrore e Lindore, përfshirë edhe ato ortodokse. Për këtë çështje papa kishte dërguar disa legatë në misione të fshehta diplomatike, sikurse Cedulini, apo Komulovicin në Poloni, ku dikur kishte shërbyer edhe vetë në misione të ngjashme, por edhe të tjerë.

Përpjekjet për kryengritje ballkanike anti-osmane

Në fakt, atë që e nisi Klementi VIII do të jetë një synim pothuajse gjatë gjithë shekullit XVI dhe në një pjesë të madhe të shekulli XVII, në përpjekje për të nxitur e pastaj utilizuar një kryengritje të përgjithshme ballkanike anti-osmane.

Kësaj ideje iu bashkëngjitën, si akterë apo duke e monitoruar atë e duke mbrojtur interesa të ndryshme, qoftë të statuskuosë, qoftë të privilegjeve tregtare e detare, në një teatër më të gjerë mesdhetar e ballkanik, që nga spanjollët dhe eksponimi i tyre përmes Napolit, Venedikut, shtetet italiane, Dubrovniku e të tjerë.

Në këto përpjekje, hapësira të caktuara të Ballkanit ishin qendrore në sytë e këtyre pretenduesve ambiciozë, por edhe të ndërmjetësuesve të tyre me origjinë nga Ballkani të vendosur në Itali e hapësira të kontrolluara nga spanjollët, venedikasit, dubrovnikasit ose papati. Plot nga këta ndërmjetës, shqiptarë e sllavë, katolikë apo ortodoksë, ishin edhe aventurierë e mashtrues, por kishte edhe idealistë, të cilët, qoftë përmes lidhjeve të tyre me atdheun apo hapësirave të Ballkanit, prijës fisesh, tregtarë, apo klerikë, mundoheshin të ishin ndërmjet atyre që u premtohej liria në rast të kryengritjes kundër osmanëve dhe atyre që pretendonin tituj të ardhshëm si princër të Albanias, apo vendeve të tjera.

Në këtë aspekt, afërsia me bregdetin ishte synim i këtyre planeve e konspiracioneve, sidomos “Al-bania Veneciane”, Shqipëria e Mali Zi, Hercegovina, por edhe Kosova e Maqedonia, apo qytete si Shkodra, Ulqini, Tivari, Kotorri, Lezha e të tjerë.