Kulturë

Kinema “Maks Velo” – shëmbëlltyra e jetës së ndarë në dysh

Artistët e rinj tiranas tani do të kenë edhe një hapësirë të re për t’i shfaqur krijimet e tyre. Në Laprakë të Tiranës i është “prerë” shiriti përurimit të kinemasë që ishte projektuar në vitet ’70 nga arkitekti Maks Velo. Tri javë pas shuarjes së tij, kjo hapësirë do të mbajë zyrtarisht emrin e tij.

“Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë. Me këtë dinjitet që po rikthehet, me dizajnin dhe emrin e Maksit, kjo është një bizhu në zemër të Laprakës”, ka deklaruar kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas përurimit të së mërkurës.

Një video me historinë e shndërrimit të kinemasë, që dikur quhej “Ylli i kuq”, ka bashkëshoqëruar një njoftim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të bërë të enjten në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Duke shpalosur fotografitë e dikurshme të ndërtesës në gjendje jo të mirë, kinemaja “Maks Velo” tani paraqitet me një sallë prej rreth 140 ulësesh, me ndriçim të mirë, sistemin antizjarri dhe hyrje-daljet e emergjencës.

“Maks Velo u nda nga kjo jetë pak kohë më parë, pas një rrugëtimi vetmitar, plot ëndrra e pasion krijues, me ambicie e inate të mëdha, shfaqje ekstravagante të lirisë individuale, si kur përfundoi në ferrin e të mallkuarve të komunizmit dhe si kur u kthye nga ai ferr në xhunglën e transicionit shqiptar, me të njëjtën fuqi për t’i mbijetuar dyndjes së re të barbarisë kulturore, herë si pëllumb e herë si skifter, duke lënë pas një thesar kujtimesh tek miqtë e armiqtë e tij dhe një emër të dallueshëm në historinë e artit e të kulturës shqiptare”, ka shkruar të enjten kreu i Qeverisë shqiptare, Rama.