Kulturë

“Fundi i lojës” për sukseset dhe filozofinë e “Dardanëve”

“Fundi i lojës” për sukseset dhe filozofinë e “Dardanëve”

Prishtinë, 27 maj – Dokumentari “Fin de Partie” (Fundi i lojës) për përzgjedhësin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll, zviceranin Bernard Challandes, ka një rrëfim intrigues jo vetëm për adhuruesit e këtij sporti. Regjisori Fisnik Maxhuni ka gërshetuar disa elemente e që pritet të kenë këtë efekt te shikuesit. Ngre edhe pyetje filozofike për jetën dhe karrierën e një futbollisti. E zë në fokus Përfaqësuesen e Kosovës në dy momente goxha me rëndësi, gjatë humbjes së legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri (23 korrik 1960 - 9 qershor 2018) para se Kosova të debutonte në Ligën e Kombeve, dhe sukseset që arriti pas vdekjes së Vokrrit. Ishte e vështirë për Maxhunin që për një vit të ishte një përgjues i padukshëm i ekipit kur çdo gjë përreth tyre ishte e zhurmshme në ato momente. Për të i gjithë ky proces sillej rreth mëdyshjes së "Davidit kundër Goliatit", meqë ekipi ishte vërtet i ri, por kishte lojtarë dhe rezultate fort pozitive. Fryti i punës tij do të shihet me premierën e dokumentarit më 10 qershor në një nga kanalet kryesore publike në Zvicër, në “RTS1”.

Regjisori Fisnik Maxhuni, i cili jeton në Zvicër, ka thënë se dokumentari “Fundi i lojës” përveç ish-futbollistit Challandes, i cili që nga 2 marsi i vitit 2018 është trajner i Përfaqësues së Kosovës, fokusohet edhe te disa protagonistë dytësorë, si futbollistët Benjamin Kololli, Mërgim Vojvoda dhe Samir Ujkani. Ai e kishte filluar këtë projekt filmik pas dokumentarit të tij të parë “Zvicra”, produksion i vitit 2018 që flet për diasporën shqiptare në Zvicër. “Zvicra” do të shfaqet po ashtu në “RTS1” pas dokumentarit “Fundi i lojës”.