Festivali gjerman i filmit “goEast” e përmbylli edicionin e 20-të me ceremoninë online të ndarjes së çmimeve, nga e cila triumfues dolën tre filma kosovarë.
Në mesin e tyre ishte edhe filmi i metrazhit të gjatë “Zana”, me regji të Antoneta Kastratit, i cili e mori çmimin e televizionit “3sat” që është partner medial i festivalit.
Sikurse shumë ngjarje të tjera kulturore sivjet, edhe festivali “goEast” u zhvillua online për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në një intervistë të fundit të regjisores Kastrati për emisionin “Nëpër Film” të Kohavisionit, ajo tregoi se mbyllja e kinemave dhe shtyrja e anulimi i disa festivaleve kanë ndikuar dukshëm edhe në rrugëtimin e filmit “Zana”.
Por, pavarësisht të gjitha pengesave të shkaktuara nga situata e fundit, regjisorja ka plane konkrete të vazhdimit të promovimit të filmit të saj, i cili deri më sot ka marrë lëvdata të jashtëzakonshme për temën që e trajton dhe punën rreth realizimit të tij, transmeton Koha.
Antoneta Kastrati gjithashtu ka treguar se është e kënaqur me suksesin që “Zana” e ka shënuar si në festivale, ashtu edhe për faktin se ka qenë në mesin e 3 filmave propozim i Kosovës për ceremoninë “Oscar”, në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.
Por, ndër eksperiencat më të veçanta për Antonetën, mbetet premiera e filmit “Zana” në Kosovë dhe pritja që i është bërë atij nga adhuruesit e filmit në vend.
Kastrati ka folur edhe për atë se çfarë mund të bëjmë më shumë për ta çuar filmin kosovar përpara, duke e potencuar rëndësinë e rritjes së buxhetit për film.
Për fund, regjisorja tregoi se puna rreth promovimit të filmit “Zana” nuk ka përfunduar ende, si dhe ajo nuk i ka ndalur angazhimet për realizimin e një filmi të ri të metrazhit të gjatë, të cilin mendon ta realizojë në Los Angeles.
“Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjell një grua të re kosovare e cila përpiqet të bëhet nënë, përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorë të njohur kosovarë si, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca dhe të tjerë.