Kulturë

“DokuFest” – urë lidhëse për nxitjen e mendimit kritik nëpërmjet filmave

Kur shkollat u mbyllën dhe nisi mësimi online, stafi i programit edukativ të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, udhëhequr nga departamenti i “DokuLab”, iu përveshën punës. E bënë të qasshme 100 për qind platformën e tyre online. Ishte një lehtësim për mësimdhënësit që për shkak të pandemisë u ballafaquan me sfidat e mësimdhënies në distancë. Atyre iu bë më e lehtë qasja në filmat e prodhuar nga “DokuFesti”. Qëllimi ishte i thjeshtë: përdorimi i mjeteve audiovizuale për zhvillimin e mendimit kritik, diçka që ka filluar që të zbatohet me intensitet dy vjetët e fundit. Në këtë formë mësimdhënësit përmes platformës online mund të kenë qasje në mbi 30 filma dokumentarë. E këtë mundësi janë duke e shfrytëzuar disa shkolla.

Drejtori i “DokuLab”, Eroll Bilibani, ka thënë se “DokuFest” shërben si lehtësues në këtë proces, duke siguruar filma dokumentarë që ndihmojnë në zhvillimin e kompetencave të nxënësve, me një kujdes të veçantë në zhvillimin e mendimit kritik dhe analitik. Ai ka treguar se gjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë ata kanë organizuar sesione të rregullta të shfaqjes së filmave në shkolla, duke përdorur filmat e prodhuar përmes Qendrës së Prodhimit të Filmit Dokumentar “DokuFest”, sikurse edhe filmat e tjerë që janë siguruar nga produksionet e njohura ndërkombëtare.

Në mesin e filmave që janë të qasshëm në platformën online është edhe filmi dokumentar “Kosova Trans” nga Albrim Isufi. Filmi sjell rrëfimin për një transgjinore 18-vjeçare në Kosovë dhe rrugëtimin, betejat e transformimin e saj. Debati për këtë film përqendrohet në pranimin dhe të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë. Në platformë është edhe filmi dokumentar “Burrë”, nën regji të Dafina Dakës, koncepti i të cilit është ngritja e vetëdijes ndaj maskulinitetit toksik, e që çon në pasoja emocionale, siç janë depresioni, agresioni, vetëvlerësimi i ulët, demotivimi e konfuzioni në vendimmarrje sidomos në zgjedhjen e karrierës. Filmi nxit diskutime mbi stereotipizimin gjinor dhe rreziqet e të pasurit punë me specifika gjinore. Në mesin e filmave që janë të qasshëm është edhe filmi “Nën duvak” nga Entela Hoxha, që përqendrohet në martesat e hershme, e “Ergys” nga Rina Celina, që nxit diskutim për rëndësinë e aspektit ekonomik për lumturinë.

Bilibani ka thënë së kjo metodologji, e cila u mundëson mësimdhënësve përdorimin e mjeteve audiovizuale për mësimdhënie dhe mësimnxënie më të mirë, ka gjetur zbatim në një numër të konsiderueshëm të shkollave anembanë Kosovës. Saktësisht në shkolla të mesme të larta në Komunat e Prizrenit, Gjakovës, Lipjanit, Gjilanit, Ferizajt, Suharekës e Podujevës.