Kulturë

Objekti i harruar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër

Objekti i harruar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër
Shtëpia dykatëshe ku veproi komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, fare pranë qendrës së Shkodrës, nuk ka marrë interesimin e institucioneve shtetërore që të trajtohet në mbledhjet e përbashkëta të kabineteve qeveritare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Aty u intervenua pjesërisht më 2012 dhe fasadës nga ana e rrugës i është ndërruar pamja, por në tri anët e tjera, ashtu sikurse edhe në brendi, është e degraduar

102 vjet më parë Shkodra ishte shndërruar në epiqendër të aktiviteteve për Kosovën. Nga 7 nëntori i vitit 1918, aty ishte vendosur selia e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Krerë të përndjekur nga Serbia, si Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Bajram Curri e Elez Isufi, do t’i orientonin energjitë e tyre në nxitjen e kryengritjeve në Kosovë me qëllim të çlirimit nga pushtimi serb.

“Qëllimi i Kanunit e Komitetit t’ynë basohet në librimin e Kosovës prej thojve të Serbiës”, thuhet në shkresën e lëshuar nga ky komitet më 3 janar 1920.