Kulturë

Çmimi evropian për Shpëtim Selmanin – njohje e vlerave kulturore të Kosovës

Për herë të parë, këtë vit, shkrimtarëve nga Kosova iu dha mundësia që të hyjnë në garë për Çmimin Letrar të Bashkimit Evropian. Tre shkrimtarë arritën të jenë në mesin e finalistëve: Shpëtim Selmani, Azem Deliu e Majlinda Bregasi. E të martën Selmani, me veprën e tij “Libërthi i dashurisë”, u shpall laureat i çmimit, bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë. Sipas tij, kjo përzgjedhje ka bërë që të hapet një derë e re, ku mund të shihet skena kulturore e vendit së cilës nuk i mungojnë vlerat evropiane. Fituesit, përfshirë edhe Selmanin, do të marrin shpërblimin prej 5.000 eurosh dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave. Po ashtu do të botohet edhe një antologji vjetore me fragmente nga veprat fituese të këtij çmimi, duke synuar një audiencë më të gjerë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët evropiane.

Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian fut në garë shkrimtarë nga 41 vende, të cilat janë pjesë e programit “Evropa kreative” – një iniciativë për të forcuar kulturën evropiane. Për herë të parë ishte ndarë në vitin 2009 dhe që atëherë janë përzgjedhur 122 fitues nga 11 edicione. Në mesin e tyre janë emra të njohur, por edhe shkrimtarë të rinj, që më pas shpërthyen edhe në qarqe ndërkombëtare.