Qiriu që ma ndezi në rrugën time drejt dijes qëndron i ndezur ende dhe u bën dritë rrugëve të mia të përditshme, të cilat jo gjithmonë janë të ndriçuara nga drita e diellit. Me ardhjen e lirisë në Kosovë, në një kaos institucional e shoqëror, profesor Ahmeti arriti të hapte Degën e Baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, nga e cila dolëm edhe ne, gjenerata e parë e balerinëve, për të rithemeluar Trupën e Baletit, e cila ishte e rrënuar qysh në vitin 1991.
Për të zhvilluar tutje aktivitetin e Baletit Kombëtar të Kosovës, profesori e kishte të qartë në kokë se çfarë duhej bërë. Me një modesti, por edhe me krenari në të njëjtën kohë, arriti të bindte koreografë nga e mbarë bota që të vinin e të punonin me ne, me një kompensim modest dhe në kushte tejet të papërshtatshme për të zhvilluar artin e baletit. Salla e baletit në Teatrin Kombëtar ku po i mbanim ushtrimet gjatë shkollës së mesme të baletit – e cila tash është shndërruar në skenë të vogël – prej vitit 2001 deri më 2005, nuk kishte dritare. Siç ndodhte zakonshëm atë kohë në Kosovë, rryma herë pas here ndalej. Për të vazhduar “normalisht” ushtrimet e baletit, profesor Ahmeti merrte disa qirinj, të ndezur i vendoste në disa cepa të sallës dhe ne vazhdonim ushtrimet nën dritën e qirinjve.
Pas shumë vitesh të përfundimit të shkollës, profesor Ahmeti jo pak herë ma ka rikujtuar këtë detaj nga e kaluara. “Sinan, jo që ish ba nami me e humb një ditë të ushtrimeve, por unë kam dashtë me ju tregu që ky profesion do sakrificë dhe duhet insistuar me çdo kusht ta kryeni punën që e keni para vetes”, thoshte bindshëm.
Në gjykimin tim, një mësimdhënës duhet të bartë me vete jo thjesht anën pedagogjike e profesionale, por durimi dhe puna edhe në aspektin psikologjik me nxënësit janë ato që japin rezultate të prekshme, gjithmonë. Një mësimdhënës duhet të jetë frymëzues, inkurajues e shembull në çdo moment për ata që janë duke marrë dije nga ai, dhe në këtë aspekt profesor Ahmeti ka qenë i papërsëritshëm.
Me të përfunduar Shkollën e baletit në vitin 2005, para nesh u shfaq një kapitull i ri. Ndonëse ai vetë e kishte kaluar këtë fazë kohe më parë, kujtesën e kishte të freskët. Këshillat e tij për diçka që vetë kishte kaluar tashmë, kanë qenë të domosdoshme për arritjen e rezultateve për ne si balerinë. Vizioni dhe qëllimi i tij për Baletin Kombëtar të Kosovës ishin të kthjellët në mendjen e tij. Duhej punë dhe kualitet i pakompromis, për të dalë faqebardhë para publikut.
“Vetëm me kualitet e punë mundemi me dalë faqebardhë para publikut. Vetëm me kualitet dhe punë, kemi arsye me kërku mbështetje, dhe nëse nuk jemi në gjendje që publikut t’i ofrojmë art kualitativ, ne rrjedhimisht nuk kemi bazë për të kërkuar atë që na takon”, ka qenë porosia e tij.
I kam dëgjuar këto fjalë nga goja e tij për vite të tëra. Këto fjalë kanë qenë Bibël e Kuran për profesor Ahmetin. Mënyra se si ai arrinte ta motivonte veten fillimisht, e pastaj edhe ne të tjerëve që ishim rreth tij, ishte mahnitëse. Edhe në mesnatë po ta ftoje për të biseduar diçka në lidhje me baletin e Kosovës, ai do të “vizatohej” në pak minuta aty ku ti dëshiroje. Ishte madhështore dashuria e tij ndaj asaj që bënte.