Kulturë

Panairi i Librit planifikohet të shtyhet për vjeshtë, botuesit në krizë

 

Pandemia ia ka dhënë goditjen e parë industrisë së botimeve kur më 14 mars, bashkë me institucione e biznese, janë mbyllur të gjitha libraritë. Ato vazhdojnë të jenë të mbyllura deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por ky nuk është halli i vetëm i shtëpive botuese në këtë kohë. Shoqata e Botuesve të Kosovës është duke e shqyrtuar mundësinë që të shtyhet edhe edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Prishtinë. Prej vitit 2011 kjo ngjarje mbahet në fillim të qershorit. Nëntë edicione u mbajtën në fund të majit. Historia e Panairit nisi më 1999, me edicionin e parë që u mbajt në nëntor. Sivjet për organizatorët del të jetë e pamundshme që në kohë pandemie të organizohet një ngjarje që mbledh mijëra qytetarë në një vend.

Shtyrja e edicionit të 22-të të Panairit shihet si goditja e radhës për shtëpitë botuese. Disa prej tyre edhe kanë bërë thirrje që shteti t’iu dalë në ndihmë. Botuesit edhe në rrethana normale vazhdimisht kanë thënë se kanë vështirësi financiare në veprimtarinë e tyre, shkruan sot Koha Ditore.