Kulturë

Ngujimi në Prizren i dyshes britanike që kërkon tregime të reja

Descriptive Text

Rosie Watson nga Mbretëria e Bashkuar në gusht të vitit të shkuar ka nisur një udhëtim, vetëm me vrapim, drejt Mongolisë. Synimi i saj është që gjatë rrugës të kërkojë tregime për mënyra të reja të jetesës, punës dhe përmbushjes së nevojave njerëzore në epokën e krizës klimatike.

Për këtë arsye gjatë këtij udhëtimi, shtetasja angleze takon njerëz që janë të përkushtuar për të trajtuar temën e krizës klimatike dhe çështjet e ndërlidhura me të, me ç’rast tregimet e tyre rrëfehen përmes fotografive, intervistave, shkrimeve, mediave sociale, e të tjera me vizionin për të krijuar një portofol me “tregime të reja” nga e gjithë bota. Këtë angazhim, përkatësisht udhëtim, Watson e ka emëruar “The New Story Run” (Vrapimi i Tregimit të Ri).

Ky projekt që prej nëntorit të vitit të kaluar është binjakëzuar me udhëtimin e ngjashëm të skocezit Mike Elm, që ka qëllim të ngjashëm, por që në vend të vrapimit realizohet me biçikletë dhe quhet “The New Story Ride” (Pedalimi i Tregimit të Ri). Deri nga mesi i muajit mars dy udhëtimet e ndara të britanikëve, me disa pikëtakime të përbashkëta kanë rrjedhur sipas planit. Por pandemia COVID-19 papritmas i detyroi shtetet e ndryshme që të marrin masa kundër përhapjes së koronavirusit.

Mbyllja e kufijve ka bërë që Watson (25) dhe Elm (32) të ngujohen në Kosovë. Kësisoj janë detyruar që përkohësisht ta pezullojnë udhëtimin e tyre. Tani janë bërë më shumë se 5 javë që ata qëndrojnë në një bujtinë në Prizren dhe janë tepër mirënjohës për mikpritjen e pronarëve të këtij biznesi, si dhe të qytetarëve prizrenas në përgjithësi.

Ndalja e kohës dhe vizioni për të ardhmen

Rosie Watson tregon se si për shtatë muaj ka vrapuar mesatarisht nga 25 kilometra në ditë, në kuadër të udhëtimit të saj. Ndërsa kufizimi i lëvizjes, prej 5 javësh, i ka mundësuar që të pushojë, të shkruajë e të planifikojë. Për të kjo është një situatë e pazakonshme pas 7 muajve të lëvizjes konstante.

“Prandaj çdo javë më dukej si një muaj, çdo që ndryshonte çdo ditë. Ndërsa tani duket se koha ka ndaluar në njëfarë mënyre”, thotë ajo, për të shtuar se sërish është një situatë e mirë, pasi ndodhen në një vend të bukur dhe po qëndrojnë pozitivë.

“Me projektin tim po mundohem të tregoj rrëfimet e njerëzve që punojnë për të gjetur zgjidhje. Është më pak përpjekje për ndërgjegjësim dhe me tepër përpjekje për të treguar se bota në të cilën jetojmë mund të jetë më e mirë, se mund të kemi një botë më të barabartë, më të shëndetshme, në të gjitha mënyrat, nëse i bëjmë këto ndryshime”, ka thënë ajo.

Watson shton se ka parë boshllëk për faktin se njerëzit flasin për problemin dhe jo për vizionin e së ardhmes. Thekson se edhe më parë ka qenë e angazhuar në fushën e krizës klimatike, porse tani e ka ndërlidhur me pasionin e saj kryesor.

“Kam punuar më parë në fushën që ka të bëjë me krizën klimatike, por kryesisht në zyre. Jam një person aktiv, e dua vrapin, është pasioni im kryesor, prandaj kam vendosur që t’i bashkoj të gjitha këto në këtë projekt”, ka deklaruar ajo.

Mike Elm pohon se ka admiruar atë që po bënte Rosie, pasi që edhe në mendjen e tij ka qarkulluar një ide e tillë.

 

Tekstin e plotë mund ta lexoni falas në gazetën KOHA Ditore. Për t’u regjistruar, klikoni këtu: