“Nuk jam as në gjendje të flas për Xhanin, që e kam pasur mik nga viti 1990”, ka thënë mes lotësh profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Ca’Foscari në Venezia, Giuseppina Turano. Dhimbja për kolegun e saj albanolog, Giovanni Belluscio, është e fortë. “Jam akoma shumë e tronditur për humbjen e tij”, ka thënë Turano.
Albanologjia këtë javë “uli” flamujt e vet në gjysmështizë për të vajtuar për humbjen e papritur të profesorit arbëresh, Giovanni Belluscio. Të dielën, në Cosenza të Italisë, Gianni – siç e quanin me dashuri miqtë e tij albanologë – vdiq në moshën 58-vjeçare. I fortë ishte pikëllimi mes rrjeteve albanologjike në hapësirën shqiptare. Të mërkurën, at Viktor Demaj në Kishën e Lezhës mbajti një meshë përshpirtjeje për arbëreshin që nuk e harroi asnjëherë tokën matanë detit, Shqipërinë dhe shqiptarët e tij.
“Ne jemi të prekur nga afeksioni që ndieni për familjen tonë dhe qindra mesazhe e thirrje që kemi pranuar”, ka shkruar në profilin e tij Giorgio Belluscio, i biri i albanologut të shuar. Bashkë me motrën e tij, Miriamin, ata janë dy fëmijët që la pas profesori shumëvjeçar në Universitetin e Kalabrisë.
“Një goditje në zemër të Arbërisë”
“Unical dhe Shën Vasili përshëndeten përgjithmonë me albanologun Belluscio”, është titulli i shkrimit të botuar të martën nga e përditshmja e Cosenzas “Gazzetta del Sud”. “Dy komunitete vajtojnë 58-vjeçarin Gianni Belluscio. Universiteti i Kalabrisë dhe, mbi të gjitha, Shën Vasili – vendlindja e tij – bëhen bashkë përreth familjes së studiuesit, që ndërroi jetë të dielën. Trupi i pajetë i studiuesit është gjetur në apartamentin e tij në Rende, ku jetonte Belluscio.
Një goditje në zemër të Arbërisë, e cila humbi një prej bijve më të mirë të saj”, shkruan artikulli i të përditshmes kalabreze. Gazetari Vittorio Scarpelli e ka cilësuar arbëreshin e Shën Vasilit si “të lidhur ngushtë me vendlindjen”, ndërsa ka vënë në dukje interesimet e tij në fushën e fonetikës eksperimentale. “Ai ishte një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Eric Pratt Hampit, profesorit emeritus të Universitetit të Chicagos, një prej gjuhëtarëve më të mëdhenj në botë.
Belluscio ka bërë një kontribut vendimtar për t’ia bërë të njohur botës akademike larushinë gjuhësore të diasporës shqiptare në Itali, sikundër edhe të realiteteve gjuhësore në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë”.
Rrugës së shkencës jodogmatike
Për profesorin Francesco Altimari e diela ishte jo vetëm heshtje për Zotin, por edhe për njeriun, sepse ishte “nata kur Gianni na la”. Në një euologji të botuar në revistën arbëreshe “Arbitalia”, profesori nga Universiteti i Kalabrisë ka ngushëlluar dy fëmijët e Belluscios.
“Fjalëve ua besojmë detyrën e vështirë të përkujtimit të Giannit, pikërisht në këtë dramë surreale në të cilën krejt komuniteti është përfshirë, i cili, me qëllim të shpëtimit nga epidemia, është i detyruar të vëzhgojë një ‘supsensë’ absurde të rutinës, të braktisë afërsinë e realitetin, të sakrifikojë lidhjet personale, t’i shtojë edhe më tepër dhimbje dhimbjes e të privohet nga të qenët afër me njeriun, të nderojë e përshëndesë mikun në udhëtimin drejt banesës së fundit”, ka thënë Altimari.
Ai ka përmendur edhe “rrugën e përbashkët të kërkimit në botën fascionuese të albanologjisë” me Giannin, me të cilin kishte pasur bashkëpunim shumëvjeçar. Ky bashkëpunim, siç është shprehur Altimari, nuk është prishur as atëherë kur nuk janë pajtuar për shumë çështje në albanologji.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.