Kulturë

Artistët e pavarur me projekte të bllokuara drejt telasheve financiare 

“Hope in Isolation”, Juli Cady Ryan, akril, 201

Aktori Shpëtim Selmani i takon grupit të artistëve që nuk kanë një vend të përhershëm pune. Angazhohet në projekte teatrore e kinematografike për të ushtruar profesionin e tij. Jeton nëpërmjet honorarëve të angazhimeve. Nuk ka të ardhura të tjera. Në një situatë normale, gjatë muajit mars ai do të ishte nëpër qytetet e Kosovës ku do të jepej filmi “Cirku fluturues”, ku luan rolin e Fatmirit. Pos kësaj do të luante në reprizat e shfaqjeve ku është i angazhuar. E provat për dy shfaqje të reja do ta plotësonin mozaikun e rutinës së tij në këtë pranverë.

Por situata ka ndërruar krejtësisht qysh prej 12 marsit, kur edhe janë ndërprerë të gjitha aktivitetet publike, përfshirë edhe ato kulturore si masë për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19. Pandemia ka goditur krejt ekonominë botërore.

Për Selmanin dhe të tjerët si ai, pos aktiviteteve janë ndalur edhe honorarët. Jetojnë me kursimet e mëparshme. Shumica e artistëve të kësaj kategorie nuk bëjnë ndonjë punë alternative. E edhe sikur të bënin, në kushtet e pandemisë kjo është e pamundur. Nëse zgjat kjo situatë, problemet financiare do t’u trokasin shpejt në derë, raporton KOHA.

Selmani, i cili ka botuar edhe përmbledhje me poezi, ka thënë se në këtë kohë ditët për të janë të njëjta. Merret me libra. Dëgjon muzikë. E, siç ka thënë ai, “nganjëherë sheh të pafytyrët politikë”.

“Përpiqem të mos ha edhe aq shumë. Dhe të shkruaj ndonjë gjë të hairit”, ka thënë aktori e shkrimtari. Selmani, që është edhe prind, ka treguar se tash për tash nuk ka probleme financiare, por gjendja do të bëhet më e vështirë nëse situata me pandeminë zgjat.

“Nëse zgjatet do të duhej të shihja forma alternative për t’ia dalë. Shpresoj që do të kalojë sa më shpejt në mënyrë që të mos shkelim në pragun e telasheve”, ka thënë ai.

“...një tezgë imagjinare”

Stuhia shëndetësore ka izoluar shumë artistë. Veprimtarinë e ka ndalur edhe regjisorja Blerta Zeqiri. Është me shpresë se gjendja do të përmirësohet. Ka treguar se këto ditë po i shfrytëzon për të marrë njohuri për të cilat nuk kishte kohë të interesohej më herët. Në këtë kontekst ka përmendur shkencat natyrore, filozofinë e arkeologjinë.

“Në këto kohë mendoj se secili duhet ta gjejë çka i pëlqen të bëjë dhe të bëjë atë gjë, sepse vetëm ashtu kalon koha më mirë dhe më frytshëm”, ka thënë ajo.

Për Zeqirin, rrethanat para gjendjes së shkaktuar nga koronavirusi nuk kanë qenë aq normale për të dhe kolegët e saj, meqenëse nuk e kanë të lehtë t’ia dalin. Pa virusin në këto anë ajo do t’i kishte përvjelë mëngët për të bërë punë të llojllojshme komerciale.

 

Artikullin e plotë mund ta lexoni në “Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.