Kulturë

Demolohet një pjesë e oxhakut, Shtëpia e Hynilerëve e pabanueshme

Institucionet e trashëgimisë kulturore janë detyruar që të ndërhyjnë në Shtëpinë e Hynilerëve pas zjarrit që ka rrezikuar këtë monument. Zyrtarët e trashëgimisë kulturore kanë konstatuar se përfshirja në flakë e oxhakut ka rrezikuar pjesët e tjera të monumentit.

Është bërë demolimi i pjesës së oxhakut mbi kulm. Intervenimi i zjarrfikësve pasditen e së enjtes kishte ulur rrezikun e zjarrit që ishte shkaktuar nga ndezja e shporetit të druve. Ishte dashur edhe një tjetër intervenim rreth orës 20:00 në mënyrë që rreziku të evitohej në tërësi. Shtëpia 200-vjeçare, që është një prej monumenteve të vendit, del të jetë e pabanueshme pas telasheve me zjarrin.

Arkitektja Ardiana Qorraj, zyrtare e lartë për trashëgimi kulturore në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, dhe restauruesi e konservuesi Besfort Axhanela nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kanë përgatitur një raport për gjendjen e monumentit që gjendet në rrugën “Afrim Loxha” në lagjen “Dodona” në Prishtinë.

“Si masë e parë emergjente është paraparë demolomi i oxhakut deri në sipërfaqen e kulmit për të parandaluar rënien e tij mbi tjegulla. Njëkohësisht, rekomandohet që trupi i oxhakut i cili do të demolohet të rindërtohet me material dhe dimension të njëjtë. Dëme të tjera fatmirësisht nuk janë regjistruar”, shkruhet në raport.

Aty sqarohet se është dashur të bëhej intervenimi i dytë i zjarrfikësve në mënyrë që të sigurohej ndërtesa. Këta zyrtarë bashkë me drejtorin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj, kanë monitoruar demolimin e oxhakut mbi sipërfaqen e kulmit, shkruan KOHA.

Demolimi është bërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, bazuar në rekomandimet e përbashkëta nga ekipi i institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe njësiti i shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës.

“Demolomi i oxhakut ka nxjerrë jashtë përdorimit për banim ndërtesën, pasi ndërtesa në fjalë ka edhe tre bashkëpronarë të tjerë dhe pjesa e cila është shfrytëzuar nga zonja Fatmire Hyniler tashmë ka dalë jashtë përdorimit për banim”, shkruhet në raport.

Aty jepen edhe rekomandime për veprimet që duhen të ndërmerren në të ardhmen. Vendosja e llamarinës si masë e përkohshme për të siguruar ndërtesën nga reshjet atmosferike, incizimi i ri, dokumentimi dhe hartimi i projektit për ndërhyrje konservuese e restauruese janë rekomandimet që kanë dhënë këta zyrtarë. Fatmire Hyniler me të bijën janë zhvendosur për të jetuar te të afërmit e tyre që i kanë edhe fqinjë. Fatmire Hyniler ka thënë se tash kanë frikë të qëndrojnë në shtëpi.

Ajo ka përsëritur kërkesën e kamotshme që shteti t’ia blejë shtëpinë, në mënyrë që t’i bëhet zgjidhje për banim. “Kam kërkuar të takohem edhe me ministren e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi. Edhe asaj do t’i them të më bëhet një zgjidhje”, ka thënë Hyniler.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.