Kulturë

“Djali, që ka qenë rezultat i dhunimit, nuk është dashtë prej nanës së vet”

“T’padashtun”, me skenar dhe regji të Edon Rizvanollit, trajton ngjarjen e një adoleshenti, i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij e vë para situatave të cilat nuk i kupton.

Për filmin, premiera televizive e së cilit, do të jetë të dielën në orën 20:30 në Kohavision, sot në Express, ka dhënë detaje nga rrëfimi dhe rrugëtimi i këtij projekti, vetë regjisori, Edon Rizvanolli.

"‘T’pa dashtun’, ka të bëjë me faktin që kjo kategori e viktimave të luftës nuk janë të dashtun prej pjesës tjetër të shoqërisë. Ka të bëjë me gratë e dhunuara që nuk janë trajtuar dhe ende nuk trajtohen në mënyrën se si është dashtë të trajtohen", ka thënë ai. "Vetë djali i cili ka qenë rezultat i dhunimit nuk është dashtë prej nanës vetë, thjeshtë kjo traumë është derdhë edhe në gjeneratën e ardhshme... kjo është edhe tema e filmit, mos pranimi i fajësisë, përgjegjësisë, gabimeve".

"Barra kryesore bie te burrat", vazhdoi tutje Rizvanolli, "burrat janë ata që duhet me marrë përsipër përgjegjësinë edhe me iu ofru mbështetje grave".

Ishte Festivali i Filmit “Karlovy Vary” i Çekisë, ku në korrik të 2017-s “T’padashtun” u dha premierë botërore, e në shtator të 2018-s u dha premierë vendore në “PriFilmFest”. Vazhdoi rrugëtimin në disa festivale prestigjioze të kategorisë “A”, si në “LA Screenings”, në Festivalin e Filmit në Kajro e të tjera.

Filmi më regji të Edon Rizvanollit ishte propozimi i Kosovës për nominim për “Oscar” në kategorinë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.