Kulturë

Mbi 1 mijë e 500 animacione nga të katër anët e botës synojnë “Anibarin”

Ekipi i “Anibarit”, i gjendur përballë masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, është duke bërë çmos që edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar të jetë i veçantë. Pjesëtarët e stafit organizativ janë në komunikim online me njëri-tjetrin që t’i kryejnë punët edhe për konceptualizimin e temës së sivjetshme. “Anibari” i sivjetmë është paraparë të mbahet prej 13 deri më 19 korrik në Pejë. Afati për aplikim është mbyllur të martën. Janë mbi 1 mijë e 500 animacione nga 93 vende të botës prej të shtatë kontinenteve, që synojnë të bëhen pjesë e garës. Thirrja qe lansuar më 1 shtator të vitit të kaluar.

Drejtoresha e Festivalit, Arba Hatashi, e cila këtë vit ka marrë pozitën drejtuese, ka thënë se tashmë kanë filluar punët edhe për përzgjedhjen e filmave. Këtë detyrë Hatashi ka thënë se është duke e bërë drejtori artistik i festivalit Petrit Gora. Ai do të jetë përgjegjës për përzgjedhjen e filmave në kategoritë garuese, si dhe për kurimin e programit artistik të festivalit. Këtë vit pritet që të shfaqen rreth 300 filma, përfshirë edhe programet speciale.

“Anibari” ka një program i cili konsiston prej gjashtë kategorive, pesë prej të cilave janë kategori garuese, ajo për filmin më të mirë të animuar ndërkombëtar, kategoria e studentëve, kategoria e filmit më të mirë të metrazhit të gjatë, kategoria e filmit më të mirë të Ballkanit dhe filmi muzikor i animuar më i mirë. E jashtë garës është kategoria për filma të animuar për adoleshentë dhe fëmijë.

Nga viti në vit, festivali përpiqet të shfaqë filma cilësorë, në aspektin teknik dhe artistik.

Artikullin e plotë mund ta lexoni falas në gazetën KOHA Ditore - Për t'u regjistruar kliko këtu