Kulturë

Anijet antike dhe politizimi serb

Anijet antike dhe politizimi serb

Në mihjen sipërfaqësore Dërmno të minierës së thëngjillit, e cila i furnizon termocentralet A dhe B në afërsi të qytetit Kostollac në Serbi, javën e kaluar (natën mes 13 e 14 marsit) u bë një gjetje arkeologjike e rastit. Fjala është për reliktet e disa objekteve të lundrimit, të cilat me këtë rast janë dëmtuar nga makina të mihjes, respektivisht ekskavatori gjigant, i cili nxjerr qymyrin në këtë lokalitet në thellësi prej disa metrash të mbuluara me shtresa rëre, lymi e argjile lumore.

Objekti më i madh i lundrimit është një anije prej druri, pjesa e ruajtur e së cilës ka gjatësinë 9,5 metra (në bazë të së cilës supozohet që gjatësia e saj kishte qenë 15 -16 metra) dhe gjerësinë 2,70 metra e në afërsi të tij janë gjetur mbetjet e dy varkave më të vogla të gdhendura nga një trung druri, e në të njëjtin vend është gjetur edhe një trung gjigant i lisit, i gjatë më se10 metra me diametër mbi 1 metër. Duhet cekur që pos një pjese të rremit në anije, brenda saj dhe rreth lundrave të tjera nuk janë gjetur gjurmë të pajisjeve, të cilat janë përdorur në anije apo lidhur me to.