Kulturë

Muzika bashkon korin “Siparantum” edhe në kohë izolimi

Muzika bashkon korin “Siparantum” edhe në kohë izolimi

Kompozitori Memli Kelmendi këto ditë po qëndron në shtëpinë e tij në Pejë së bashku me anëtarët e familjes. Për shkak të masave që ka marrë Qeveria e Kosovës për mbrojtjen nga virusi COVID-19, përditshmëria e tij ka ndryshuar. Madje edhe mënyra e ligjërimit. Këto ditë ai me nxënësit e shkollës së mesme “Halit Kasapolli” dhe me studentët e “Universitetit AAB” po komunikon në mënyrë virtuale. Edhe provat për korin “Siparantum” i mban njësoj. Me këtë të fundit po bëhet gati edhe për “World Choir Games” (Garat botërore të koreve), që është paraparë të mbahen prej 5 deri më 15 korrik në Antwerp dhe Ghent të Belgjikës. Brenda kësaj jave disa anëtarë të korit nga Peja në mënyrë virtuale do të bëhen pjesë edhe e një interpretimi të përbashkët me anëtarë të koreve të tjera nga vende të ndryshme të botës.

Kelmendi ka thënë se muzika këto ditë i ka dalë në ndihmë edhe të qëndrojë larg politikës e lajmeve. Kështu, sipas tij, duhet të veprojnë edhe të tjerët.