Kulturë

Marcelo Peralta – muzikanti i lidhjes së jazzit me tingujt tradicionalë

Bota e jazzit ka shënuar viktimën e parë nga virusi COVID-19. Saksofonisti argjentinas i njohur për qasjen e tij risuese në avangardë dhe në traditat muzikore jugamerikane, Marcelo Peralta, ka vdekur më 10 mars në një spital të Madridit. Ai u shua gjashtë ditë pas ditëlindjes së tij të 59-të, shkruan Koha Ditore.

Vdekja e tij fillimisht është kumtuar prej mikut të tij, bashkatdhetarit dhe muzikantit Guillermo Bazola, në Facebook, dhe është konfirmuar nga e përditshmja e Buenos Airesit, “Perfil”. Banor në Madrid që prej 1996-s, Peralta është shtruar në spital në ditëlindjen e tij për atë që në fillim besohej të ishte ftohje. Më vonë ai u testua pozitivisht për koronavirus.

Peralta është zhytur në idioma të shumta të jazzit, nga standardi bebop deri te muzika kreative avangardë, por qasja e tij më e shqueshme përfshinte një përzierje të improvizimit të lirë me forma folklorike argjentinase dhe latinoamerikane.

Krahas saksofonit për alto, soprano dhe bariton, ai ka luajtur në piano, akordion, quena (një fyell i Andeve), frymorë dhe shumë vegla të tjera, të cilat i përdorte për interpretimin e traditave të tij autoktone – dhe në përshtatjen e repertorit të jazzit me këto tradita.

Marcelo Peralta ka lindur me 5 mars 1961 në Buenos Aires. Vegla e tij e parë ishte pianoja, të cilën e studioi në konservatorin prestigjioz të kryeqytetit “Antiguo Conservatorio Beethoven”. Ai mori një diplomë nga konservatori më 1979 dhe nisi të jepte mësim në shkollat fillore e ato të mesme përpara se të angazhohej si instruktor në shkollën e rëndësishme të muzikës “Conservatorio Municipal de Manuel Falla” në Buenos Aires.

Nga kjo kohë, Peralta nisi të mësonte saksofonin, të cilin nisi ta luante në moshën 18-vjeçare – në bariton, ani pse më vonë mësoi të luante tenor, alto dhe soprano (tenori më vonë do të bëhej instrumenti i tij parësor). Një eksperimentues i pandalshëm, Peralta më vonë vetë e mësoi trumbetën, trubën, violinën dhe klarinetën, sikundër edhe vegla të ndryshme latino-amerikane.

Si forum për aventurat e tij sonike, ai u bë i pavarur duke punuar në Buenos Aires me muzikantë të tillë si basisti Bucky Arcella, pianisti Eduardo Lagos dhe këngëtarët dhe tekstshkruesit Fabiana Cantilo dhe Litto Nebbia. Ai ishte edhe solist saksofoni në orkestrën e “LRA Radio Nacional”, radioja shtetërore e Argjentinës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.