Kulturë

Kosova e gatshme të marrë pjesë në tregun e filmit në Cannes

Festivali i Filmit në Cannes dhe tregu i filmit “Marché Du Film” janë në mesin e ngjarjeve kulturore që ende nuk janë anuluar.

Përderisa pandemia e virusit COVID-19 po merr hov e po e dëmton industrinë e filmit e mbajtjen e festivaleve, mbajtja e Festivalit të Filmit në Cannes vazhdon të jetë një pikëpyetje, shkruan sot Koha Ditore.

Planet janë që programi i edicionit të 73-të të publikohet në mes të prillit, e edicioni i sivjetmë të mbahet prej 12 deri më 23 maj, ani pse Franca ka vendosur masa në gjithë vendin për izolim kundër përhapjes së virusit COVID-19.

Por edhe nëse anulohen mbajtja e Festivalit, tregu i filmit “Marché Du Film” që përkon me festivalin e që bën bashkë distributorët, agjentët e shitjeve dhe kuratorët e programeve, ata do të mbahet online. Pjesë e tij do të jetë edhe Kosova përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës. Jérôme Paillard, drejtor ekzekutiv i tregut të filmit “Marché Du Film” në Cannes, ka thënë për “The Hollyood Reporter” se të dy ngjarjet kryesore të filmit në Cannes këtë vit do të mbahen.

E në rast të anulimit të Festivalit, Paillard ka thënë se kjo nuk do të vlejë edhe për “Marché Du Film”. “Ata të cilët nuk do të mund të na bashkohen fizikisht në tregun e filmit do mund ta bëjnë këtë përmes një versioni online që do të jetë i qasshëm. Për të njëjtët do të ketë 50 për qind zbritje”, ka thënë Paillard i cili ka 25 vjet që është në krye të “Marché du Film”.

Ka treguar se ata kanë qenë në bisedime me disa kompani të mëdha të filmave për disa ditë për një version digjital të tregut, por u nxituan që të bëjnë lajmin të ditur të mërkurën, pasi që disa media shkruan për disa plane për tregje alternative të filmit online nga kompani të pavarura amerikane e nga Britania e Madhe.

Por në rast të një tjetër skenari, ku mbajtja e tregut të filmit fizikisht është e pamundur, qasja online do të jetë opsioni i vetëm për të gjithë, e jo vetëm për disa.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.