Kulturë

Kosova, model i barazisë dhe i tolerancës ndëretnike

Prishtinë, 27 shkurt - Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala këto ditë po qëndron në Kuala Lumpur, Malajzi, ku po zhvillon punimet Samiti Global i Paqes, i cili ka mbledhur mbi 100 ambasadorë globalë të paqes, aktivistë për të drejtat e njeriut, diplomatë të rinj dhe përfaqësues të agjencive të ndryshme të OKB-së nga vende të ndryshme të botës.

Ajo ishte sot pjesë e panelit diskutues “Diplomatët e rinj” bashkë me përfaqësuesit e Bangladeshit, Palestinës dhe Kenyas, të cilët kanë diskutuar për rolin e OKB-së në krijimin e paqes në botë, dhe rëndësinë e ruajtjes së demokracisë në vendet në konflikt.

Në pjesën e diskutimit të saj Shala ka folur për rëndësinë e minimizimit të paragjykimeve për të formuar marrëdhënie bashkëpunimi midis shteteve dhe kombeve të ndryshme, duke shtuar se derisa ka dallime dhe paragjykime mes njerëzve, shteteve apo dhe kombeve nuk mund të ketë marrëdhënie bashkëpunimi.

Tutje ajo ka folur edhe për rolin e OKB-së në krijimin e paqes në botë me theks të veçantë Kosovën.

“ Roli i OKB-së për të ulur tensionet mes vendeve në konflikt është jashtëzakonisht i madh. Këtu duhet të marrë shembull specifik shtetin tim, Republikën e Kosovës kur të përballur me dështimin e negociatave për paqe dhe bllokimin e veprimeve multilaterale përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara ndërmorën fushatën për bombardimin e Jugosllavisë në bashkëpunim me NATO-n. Po në këtë kohë , u kalua në Këshill të Sigurimit të OKB-së Rezoluta 1244, që formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e Jugosllavisë, por nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara derisa dërguan përfaqësues të tyre ish-kryetarin finlandez Martti Ahtisaari, i cili ne vitin 2007 nxori Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej pavarësi e mbikëqyrur. Në bazë të këtij plani dhe duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ky ndoshta është veç një nga shembujt e shumtë të rolit të OKB-së në uljen e tensioneve mes vendeve ne konflikt.” ka shtuar Shala.

Tutje ka thënë se si shtet, multietnik jemi shembull i ndërtimit të paqes dhe respektimit të komuniteteve pakicë në vendin tonë, përfshirë edhe komunitetin serb me të cilin dikur ishim në konflikt dhe sot kemi ende një marrëveshje të papërfunduar.

“Edhe pse shtet i ri, Kushtetuta jonë garanton të drejta dhe ligje të barabarta për secilin qytetar të Kosovës, pa dallim feje, gjinie apo nacionaliteti dhe për këtë jam krenare që secili nga ne që kemi pasur mundësi kemi punuar në ndërtimin e kësaj fryme të jetesës dhe bashkëpunimit. Rruga jonë drejt ndërtimit të paqes ishte tejet e vështirë, por jo e paarritshme, prandaj unë sot me krenari ju flas në emër të një shteti të pavarur, sovran dhe paqësor" - tha Shala.

Me kërkesë të organizatorëve gjatë diskutimit ambasadorja Shala ka mbajtur në kokë Plisin si simbol të veshjes sonë kombëtare, për të cilin i është përgjigjur pyetjeve të audiencës në fund të diskutimit.

{gallery}