Kulturë

Fazli Gajraku merr mandatin e dytë të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”

Descriptive Text

Prishtinë, 26 shkurt – Fazli Gajraku të martën ka hyrë në zyrën e tij, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, si drejtor i rizgjedhur i këtij institucioni.

Këshilli Drejtues i BKK-së e ka vlerësuar atë me 91,6 pikë duke u renditur i pari në raport me kundërkandidatët e tij. Ia ka dalë që të jetë larg më i mirë me pikë sesa herën e parë, kur ishte zgjedhur drejtor në shtator të vitit 2015. Asokohe kishte 63,37 pikë. Bilanci i drejtimit të institucionit më të lartë bibliotekar në vend, në katër vjetët e mandatit të parë të Gajrakut, del të jetë goxha pozitiv. Krahas projekteve që kanë përfunduar, kanë nisur disa që janë të domosdoshme për institucionin.

Planet e Gajrakut për mandatin e dytë janë të mëdha. Në fund të marsit do të jetë gati versioni final i planit strategjik për zhvillimin e BKK-së për pesë vjetët e ardhshëm. Për hartimin e këtij plani BKK-ja është ndihmuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë. Stafi i institucionit është ndihmuar nga Robert D. Montoya, profesor në “Indiana University Bloomington” në Indiana. Për tri javë është punuar me udhëheqësit e departamenteve të BKK-së.

“Është diskutuar deri në detaje se si të bëhet një plan i hollësishëm, i zbatueshëm në bazë të potencialit që ka biblioteka”, ka thënë Gajraku.

“Biblioteka ka disa punë në gjysmë. Është bibliografia e librit shqip në Kosovë, ku përfshihen të gjithë autorët shqiptarë në ish-Jugosllavi”, ka thënë Gajraku, i cili kundërkandidat për drejtor kësaj radhe kishte Valon Kashtanjevën, Bislim Bislimin, Ramush Zekën dhe Tefik Mehmetin. Për zgjedhjen e drejtorit të institucionit më të lartë bibliotekar në vend, Ministria sërish ka aplikuar konkursin e brendshëm.

Sipas Gajrakut, të gjitha botimet në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi do të jenë në një bibliografi që do t’u shërbejë studiuesve të fushave të ndryshme. Kjo, sipas tij, është një përgjegjësi e secilës bibliotekë nacionale. Ky projekt ka nisur më 2015. Ishte menduar që punët të ecnin më shpejt. Por gjatë rrugës ka dalë në pah se hesapet nuk ishin bërë si duhet.

Sa i përket infrastrukturës, Biblioteka ka ende shumë punë për të bërë. Në shtator të vitit të kaluar ka nisur izolimi i kulmit të rrafshët të objektit. Me të nisur reshjet atmosferike, projekti që kushton mbi 200 mijë euro është ndalur së zbatuari. Për pasojë, sa herë që ka reshje uji rrjedh në dhjetëra hapësira. Planifikohet që puna të rinisë në pranverë. Por hallet e BKK-së me ujë janë të vjetra. Ujërat nëntokësore po ashtu shkaktojnë telashe të mëdha. Vërshohen depot e koleksioneve.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)