Kulturë

Polluzha, nga emër i ndaluar në “Hero i Kosovës”

Foto: Koha

Kishte filluar si refuzim për të luftuar në frontin e Sremit, por për pak muaj do të përshkallëzohej në kryengritjen e parë shqiptare kundër Jugosllavisë.

Për tre muaj, në kapërcyell të viteve 1944 dhe 1945, mijëra shqiptarë në rajonin e Drenicës do të ngriheshin me armë nën drejtimin e Shaban Polluzhës. Fiks 75 vjet pas rënies, atij i është ndarë urdhri Presidencial “Hero i Kosovës” me motivacionin “për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës dhe kontributin e tij gjithëkombëtar”.

Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur të premten në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, luftëtari i lindur më 1871 në Polluzhë të Drenicës është vlerësuar për angazhimin e tij për çështjen shqiptare, transmeton Koha Ditore.

Në fjalën e vet, presidenti Thaçi e ka quajtur “nder të kombit shqiptar” rreshtimin në kampin antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka thënë se radhitja përkrah këtij blloku ishte shpresë që çështja e Kosovës do të zgjidhej në përputhje me vullnetin politik të shqiptarëve.

“Dhe ky vullnet u shpreh më së miri në Konferencën e Bujanit, por, për fat të keq, ëndrra për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë do të vritej nga kreu politik dhe ushtarak i Jugosllavisë”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Republikës së Kosovës ka përkujtuar se Drenica dhe Kosova përjetuan terrorin dhe krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste.

“Me 8 shkurt 1945, kreu jugosllav e futi Kosovën nën masat e administrimit ushtarak, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Objekt i këtij administrimi u bë tërë Kosova me fokus të veçantë Drenica”. Ai ka shtuar se vrasja e Shaban Polluzhës do të pasohej me ndalimin zyrtar të përmendjes së emrit të tij. “Por, historia ndërroi rrjedhën e vet dhe nga një figurë e ndaluar Shaban Polluzha sot zë vendin e duhur në historinë e Kosovës. Ai ka mbrojtur edhe popullatën boshnjake nga sulmet çetnike në Kollashin dhe Novi Pazar dhe ende në kujtesën e tyre shënohet si hero”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pas pranimit të urdhrit presidencial, stërnipi i heroit, Zahir Polluzha, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në akademi....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)