Viti 2019, sado vit i një pleqërie të shtyrë të një krijuesi, fare në mënyrë të papritur, është sigurisht viti më i frytshëm poetik i poetit, përkthyesit dhe eseistit të shquar, Muhamed Kërveshi.
E them këtë sepse poeti, paradoksalisht, me kalimin e viteve e me thellimin e moshës, jo vetëm nuk ndalet, por, në të vërtetë, i vazhdon hapat e tij poetikë gjithnjë në kërkim të zonave të reja artistike! Në këtë vit, në vitin 2019, Muhamed Kërveshi, në botim të shtëpisë botuese “Faik Konica”, Prishtinë, boton katër libra poetikë: “Sytë i zgjojnë yjet”, “Shirat përtej kohërave”, “Duke kërkuar Atlantidën” dhe “Gjaku i këndon lirisë”.
Lexuesi naiv mund të besonte se këta katër libra poetikë mund të ishin shkruar në këtë vit, por në të vërtetë, këta libra poetikë janë rezultat i një qasjeje karakteristike të poetit, i cili ndërton sisteme poetike dhe jo përmbledhje poezish, siç ndodh zakonisht.
Më tutje, botimi i katër librave poetikë në një vit, po ashtu, është rezultat i përqendrimit dhe i durimit poetik, të akumuluar në vitet e mëhershme krijuese, të cilat, për shkak se Muhamed Kërveshi ndërton një sistem poetik ose sisteme poetike në variacione, finalizohen, si të tilla, në një vit të caktuar. Edhe në këto katër libra poetikë shquajnë ato karakteristikat e poetikës së Muhamed Kërveshit - gjuha e figurshme, figuracioni i pasur, loja, në funksion artistik e kuptimor, me gjuhën poetike, gjuha e ritmizuar dhe dinamika akustike e vargut, variacionet poetike të realizuara mbi tema e motive të njëjta e të ngjashme, që t'i kujtojnë koncertet e Bachut, në të cilat tema e motivi muzikor përimtësohet, rikthehet e riaktualizohet, gjithnjë i pasuruar për një nuancë poetiko-muzikore a për më shumë sosh.
Kërkimi poetik, si imperativ i brendshëm
Në mesin e këtyre katër librave, të cilët shquhen me pushtime të hapësirave të reja poetike, më shumë të realizuara nga alternimet e perspektivave të vrojtimit poetik sesa nga boshtet konstante tematike të realitetit artistik të poetit, shquan libri poetik “Duke kërkuar Atlantidën”, i cili, që me titullin e tij e sinjalizon shpirtin kërkimtar poetik, etjen e pashuar në rrugëtimin poetik dhe në zbulimin e hapësirave të reja poetike të realitetit jetësor.
Në këtë kontekst, do theksuar faktin se jo vetëm te libri poetik “Duke kërkuar Atlantidën”, por edhe te tre librat e tjerë që u cekën më lart, shquan një si tipar i ri në kuadër të poetikës së Muhamed Kërveshit - meditimi, thellimi i meditimit poetik, mbizotërimi i të menduarit poetik mbi stilin dhe figurën poetike që, sado nganjëherë e zhvesh këtë poezi nga figuracioni, e pasuron me kontemplacionin dhe me perspektivën meditative, prej së cilës përjetohet bota dhe realiteti i saj....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)