Ngritja e inteligjencës së re, që kryesisht përbëhej nga bijtë e tregtarëve dhe krerëve të komuniteteve, e futi evolucionin e miletit në një fazë të re, shkruan sot Koha Ditore.
Disa qarqe intelektuale, të shkolluar në Evropë dhe në veçanti në Rusi, e imagjinonin historinë dhe ardhmërinë e grupit të tyre etnik, kishës, gjuhës dhe kulturës në kornizën referente laiko-kombëtare.
Ata i shihnin komunitetet e tyre etniko-fetare si njësi të vogla brenda miletit, si një komb unik, ndërsa manifestimet e ndryshme kulturore i përcaktonin ato komunitete si pjesë të një kulture të unifikuar kombëtare. Shteti imagjinar u paraqit si kornizë e përbashkët unike. Shekullarizmi i tyre, më së tepërmi nën ndikimin e Francës, në radhë të parë e shqetësoi klerin, ndërsa koncepti i tyre i nacionalizmit shekullar u hodh poshtë nga ana e liderëve laikë, madje dhe nga ana e tregtarëve.
Mirëpo, shumë intelektualë ishin profesionistë, shërbimet e të cilëve u bënë të pazëvendësueshme në shoqëri, gjë që ishte faktor që ndikoi në rritjen e ndikimit të tyre. Të tjerët u bënë mësues dhe u vunë në krye të institucioneve arsimore në komunitetet e tyre dhe ata arritën që me idetë e tyre ta indoktrinonin një pjesë të nxënësve të tyre.
Nacionalizmi pansllavist dhe panortodoks
Nacionalizmi i tyre që përbëhej prej një doze të fortë të nacionalizmit pansllavist dhe panortodoks, dhe i cili thërriste dhe propagandonte krenarinë dhe identitetit etnik, gjeti përkrahje midis elitës, por me vështirësi mezi që arrinte deri në masat e shumta rurale.
Megjithatë, sulmet e pamëshirshme të inteligjencës mbi klerin, mbi gjendjen e fesë, mbi mosdijen e cila mbisundonte midis pjesëtarëve të miletit dhe përfundimisht, hulumtimet e tyre dhe ngritja e kulturës etnike në përcjellje të shtypit, e luajtën rolin vendimtar në artikulimin e kërkesës për reformimin e miletit.