Kulturë

“Universiteti” për gjysmëshekullin – histori e Kosovës në miniaturë

Prishtinë, 13 shkurt – Është një foto bardhezi ku studentë fytyrëqeshur ndodhen pranë një burri që vinte pak i imët nga shtati ndërkohë që mbante një pallto të gjatë e shall në grykë.

Ishte gjuhëtari i madh shqiptar, Eqrem Çabej. Bashkë me ajkën e profesorëve më të mirë nga Tirana, ai kishte ardhur për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në saje të një marrëveshjeje të kohës me autoritetet e Shqipërisë së atëbotshme. Por celuloidi i kësaj fotografie përbën vetëm një pjesëz nga qindra sosh në rrëfimin për 50 vjet histori të institucionit më të madh universitar në Kosovë.

E sublimuar me mesazhin “Universi te ti”, njëzet rrëfime kohësh të ndryshme janë ndërthurur në një dokumentar që kronikon historinë pesëdekadëshe të Universitetit të Prishtinës. Kështu, historia e Universitetit bëhet e ndërkëmbyeshme me atë të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera në ish-Jugosllavi.

Fryt i një pune dymujore, dokumentari 67-minutësh “Universiteti”, nën regji të Ekrem Xanit dhe skenar të Durim Abdullahut, ka shënuar ditën e dytë të aktiviteteve të shumta të “Javës së Universitetit”.

Si homazh për historisë gjysmëshekullore të Universitetit të Prishtinës, ky dokumentar u shfaq mbrëmjen e së martës në sallën “Kino Armata” në kryeqytet.

Si pikënisje e një rrugëtimi unik në historinë shqiptare kishte shërbyer një ligj i nxjerrë më 18 nëntor të vitit 1969 nga i asokohshmi Kuvend i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Më 15 shkurt të vitit pasues do të themelohej solemnisht Universiteti i Prishtinës. Si i dyti universitet shqiptar pas atij të Tiranës dhe i pari i tillë në Kosovë, ky institucion i arsimit të lartë në foshnjërinë e vet kishte pasur vetëm katër fakultete. Por qysh në dekadën e vet të parë, UP-ja do të krijonte kuadrot e shkolluara për nevojat e veta, sistemin shkollor, institutet shkencore, arkivat, muzetë dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve.

Me copëza materialesh arkivore e dëshmi në vetën e parë, historia universitare endet nga një episod në tjetrin. Në një vend, fjalimi i përkorë i të parit rektor të Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, kurse në një sekuencë pasuese edhe filmime origjinale kur kryetari i asokohshëm i ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, diktatori Josip Broz Tito më 1975 merr çmimin “Doctor Honoris Causa”. Ky nder, po të njëjtin vit, iu akordua edhe kryetarit të Republikës së Indisë. Po kështu me filmime origjinale të kohës.

Me rrëfime të rektorëve të parë, si Feriz Krasniqi e profesorë si Zejnullah Gruda, Edi Shukriu e të tjerë, filli i rrëfimit për historinë kap momente të funksionimit të Universitetit të Prishtinës që, ndërkohë, krijoi edhe stemën e vet ikonike të punuar nga Shyqri Nimani . Dhjetëra mijëra studentë shqiptarë e serbë, madje edhe nga jashtë Kosovës, do të vijonin studimet në Universitetin që ngadalë po e barazonte Kosovën me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Nga koha e demonstratave të vitit 1981 e deri te aparteidi serb që kulmoi me mbylljen e Universitetit të Prishtinës, profesorë e studentë u shndërruan në avangardë të ndryshimeve politike. Në vargun e mijëra dëshmorëve e martirëve janë edhe 8 profesorë e 322 studentë që u vranë nga ushtria e policia serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sfida kryesore për krijuesit e këtij dokumentari, që të gjithë pjesë e stafit akademik të UP-së, kishte qenë përmbledhja e një historie 50-vjeçare brenda një kuadri të kufizuar kohor.

Durim Abdullahu, asistent në Departamentin e Antropologjisë e gazetar në Kohavision, e ka quajtur nder që ishte pjesë e këtij projekti për gjurmimin e historisë gjysmëshekullore të UP-së.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)