Kulturë

“Java e Universitetit” bashkon studentët me kryevepra botërore

Prishtinë, 12 shkurt – Jo fort i përshtatshëm për koncerte, amfiteatri i Bibliotekës Universitare ka kohë që është shndërruar në skenë muzikore. Kësisoj ka qenë edhe të hënën mbrëma, kur studentët e Departamentit të Muzikës në Fakultetin e Arteve e kanë gjallëruar me kryevepra botërore. E kanë bërë këtë në kuadër të shënimit të 50-vjetorit të institucionit ku vijojnë studimet. Koncerti është vetëm njëra prej ngjarjeve të asaj që është quajtur “Java e Universitetit të Prishtinës”

E veshur solemnisht në të zeza, pianistja Melisa Ibrahimi e nisi koncertin me të gjitha ngjyrat. Përveçse dallohet si një ndër kryeveprat e muzikës klasike, “La Campanella” e Lisztit, e përzgjedhur nga Ibrahimi, shquhet si një prej më të vështirave për t’u interpretuar në piano. E bazuar në “Koncertin e dytë për violinë të Paganinit”, vepra e 1838-s është ideale që pianisti të shpalosë shkathtësitë e teknikat e interpretimit midis kapërcimeve të shpejta. Nuk qenë problem për Ibrahimin, studente në klasën e Alberta Tronit.

Kjo qe veç një uverturë e koncertit me 12 vepra, e pos anës festive ishte edhe dëshmi e talentit të gjeneratës së re të muzikantëve. E këtë e kanë bërë me alamet veprash, prej Mozartit, Clarces, Chopinit e deri te Prokofiev, Ernesto Lecuona e të tjerë.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)