Prishtinë, 11 shkurt – E kishte mbajtur si parim jetësor një thënie të Volterit se “e tanishmja nuk është kurrë caku ynë; e kaluara dhe e tanishmja janë mjetet tona: vetëm e ardhmja është synimi ynë”.
Kjo përthyerje kohësh u bë e qartë kur miq, kolegë e studentë të dikurshëm u mblodhën bashkë në një datë të veçantë për të. “Brezat që do të vijnë kanë mundësi të jashtëzakonshme për ta ndryshuar botën e jetën tonë”, ka thënë profesori shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës, Isak Shema, në ditëlindjen e tij të 80-të. Në vend të kremtimeve të zakonshme, kolegë, studentë e miq të shumtë të hënën kishin zgjedhur një veprimtari jubilare në mjediset e hotelit “Swiss Diamond” në kryeqytet.
E bija e tij, Besa Luzha, ka thënë se ditëlindja e sivjetme festohet në mënyrë më të pazakontë.
“Jemi mësuar të shkojmë në promovime librash të babait, por sot kemi vendosur të flasim për rrugëtimin e tij jetësor”, ka thënë Luzha, përderisa ceremonia është moderuar nga aktori Xhevat Limani.
I lindur më 1940, në fshatin Beguncë të Vitisë, profesor Isak Shema është imponuar si një nga studiuesit më të njohur të letërsisë shqipe. Autor i disa studimeve letrare, tekstesh shkollore dhe kumtesash e referatesh të paraqitura në simpoziume, seminare e konferenca ndërkombëtare, karriera e tij në arsim dhe shkencë shtrihet në gjashtë dekada angazhimesh.
Në këto linja biografike është përqendruar në fjalët e vet ish-profesori universitar Agim Vinca, i cili ka thënë se Shema ka bërë disa dekada punë të frytshme shkencore. Sipas tij, ai i qaset letërsisë nga pozita e një vrojtuesi serioz, ndërkohë që shkrimtarë të preferuar të tij janë Sterjo Spasse e Josip Rela.
Vinca ka nënvizuar qasjen e tij në trajtimin e autorëve të ndryshëm, si: Veqilharxhi, Santori, De Rada, Frashëri, Fishta, Konica, Kuteli, Koliqi, Migjeni e të tjerë.
Në vazhdim, profesor Sedat Kuçi e ka kujtuar kolegun e tij për qëndrimin që kishte shfaqur në kohën kur kishte nisur diferencimi i kuadrove shqiptare në Universitetin e Prishtinës.
“Në të gjitha mbledhjet Isaku ka mbajtur një qëndrim të admirueshëm duke treguar një aftësi të madhe në amortizimin e sulmeve që iu bëheshin kolegëve tanë”, ka thënë Kuçi.
Ishte njohur qysh para 40 vjetësh, kur libri i tij “Nëna jonë Terezë” kishte parë dritën e botimit. Duke evokuar këtë njohje, vikari i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, dom Lush Gjergji, ka vlerësuar angazhimin e gjatë të profesor Isak Shemës në arsim dhe kulturë.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)