Ministrja e re e Ministrisë së Kulturës, Vlora Dumoshi, e ka demantuar një lajm se kinse kjo e ka kumtuar në Twitter, se shkrimtari Ismail Kadale sot ka vdekur.
Vdekjen e tij e ka demantuar Dumoshi në një shkrim në Facebook, duke shtuar se ajo as s’ka llogari të hapur në Twitter, derisa, s’dihet kush ia ka hapur.
{gallery}
“Të dashur miq, Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news. Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter. Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike. Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim”, shkruan Dumoshi në Facebook, transmeton Koha.net.
Edhe publicisti Adriatik Kelmendi ka shkruar se kanë marrë informacione nga gruaja e Kadaresë, Helena, e cila ka treguar se ai është mirë me shëndet.
“Ismail Kadare është shëndosh e mirë. Sapo e konfirmova nëpërmjet të koleges Alda Bardhyli e cila telefonoi bashkëshorten, Helenën, në Paris. Dikush ka hapur një Twitter llogari të rreme në emër të ministres së Kulturës së Kosovës, Vlora Dumoshi, dhe ka publikuar lajmin e rremë për gjoja vdekjen e shkrimtarit të shquar shqiptar. Turp i madh kushdo që e ka bërë”, shkruan Kelmendi.