Kulturë

Katër filma si imazh estetik përballë sfidave të shoqërisë

Ata të cilët e frekuentojnë “Kino Armatën” çdoherë do të gjejnë laramani temash e filmash. Nuk mungojnë as filmbërësit kosovarë e projektet e tyre filmike, shkruan sot Koha Ditore.

Një vend të veçantë e ka pikërisht promovimi i filmave vendorë në agjendën e kësaj kinemaje që rindezi projektorin e saj dy vjet më parë, pas më shumë se 30 vjetësh. Këtë qëllim e pati edhe të enjten. Solli katër filma të regjisorit nga Ferizaj, Besim Ugzmajli. “Nata e sotme është për të promovuar filmin kosovar”, ka thënë Alush Gashi, i cili e drejton “Kino Armatën”. Para se të shfaqen filmat e ka falënderuar regjisorin për besimin që ka pasur në kinema.

Projektori u ndez me filmin 26minutësh “Erë”, vazhdoi me “The Eaters” produksion i vitit 2015, u shfaq më pas “Rruga” i vitit 2019 dhe “Më fal” që është realizuar një vit para tij. “Erë”, filmi artistik i metrazhit të mesëm, që nisi këtë rrugëtim nëpër krijimtarinë e Ugzmajlit, ka temë historinë shqiptare e prek edhe interpretimet që i bëhen religjionit. Regjisori Besim Ugzamjli ka thënë se filmi i tij sjell në mënyrë mjaft poetike dromaca nga historia e vendit.

“Mua më lënë përshtypje interpretimet e librave biblikë apo të përgjithshëm, të religjionit dhe ka qenë një lidhje në mes të këtyre interpretimeve. Ka copëza Kurani, Bibla, por është edhe një pjesë mehistorinë tonë me disa dilema që shfaqen brenda komunitetit të historianëve se cila kishë është më e hershme në Kosovë, ajo ortodokse apo katolike”, ka thënë ai.

Këto copëza në filmin ku luajnë: Sunaj Raça, Avni Abazi, Hafir Bislimi e Xhejlane Tërbunja, sipas tij, shfaqen në një dimension më shumë poetik. Nga monologët e “Erës”, publiku te filmi i dytë “The Eaters” nuk dëgjoi asnjë fjalë. Një i rritur (Labinot Lajçi) ha çdo frutë, dëshiron të mbajë gjithçka për vete derisa një vogëlushe (Orgesa Mehmeti) ndërpret këtë rrjedhë. Ajo aspiron lirinë. Katër filmat që u shfaqën sipas regjisorit vënë në pah temat që e preokupojnë shoqërinë shqiptare, por kapin edhe aspekte globale”.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)