Kulturë

Teatri shpenzon 500 litra naftë në ditë, dyshohet për keqpërdorime

Descriptive Text

Prishtinë, 31 janar – Shpenzimi i 5 mijë litrave naftë për 10 ditë pune nga Teatri Kombëtar i Kosovës ka nxitur dyshime për keqpërdorim të lëndës djegëse për ngrohjen e ndërtesës.

Në ditën e 14-të të këtij muaji institucioni më i lartë teatror në vend kishte pranuar 5 mijë litra naftë. E më 27 janar rezervuarët ishin bosh. Kësisoj zyrtarëve të Teatrit e edhe atyre të Baletit Kombëtar të Kosovës u kishte lindur dyshimi se nafta është duke u keqpërdorur. Rrjedhje nuk shihet të ketë. Dyshime të ngjashme kishte pasur edhe më herët, por kësaj radhe TKK-ja ka vendosur ta kthjellojë këtë çështje.

Për këtë përgjegjësi për ngrohje, Rrahman Shala, e organizatori i TKK-së, Beqir Beqiri, kishin shkuar të konsultoheshin me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi. Po atë ditë, më 27 janar, zyrtarët e IT-së nga Ministria e Kulturës kishin marrë incizimet e kamerave të sigurisë në TKK. Paraprakisht më 19 dhjetor të vitit të kaluar me vendim të sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së ishte formuar një komision në përbërje të punonjësve të vet, Labinot Berisha, si kryesues, e me anëtarët Xhafer Cakolli e Fikret Demiri.

Organizatori Beqir Beqiri ka thënë se më 27 janar, kur është lajmëruar se janë shpenzuar 5 mijë litra naftë, ka nisur të dyshojë për keqpërdorime. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe përgjegjësi për ngrohje, Rrahman Shala. TKK-ja ka 2800 metra katrorë dhe numëron 108 radiatorë për ngrohje. Sipas Shalës, kaldaja shpenzon 50 litra naftë për një orë. Sipas Beqirit, nga kontrollimi i kamerave të sigurisë nuk është parë se ka pasur keqpërdorim të naftës. “Nuk është parë asgjë nga kamerat”, ka thënë ai. Por kamerat shpërfaqin tri anët e jashtme të objektit, por jo edhe atë jugore.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënë se nuk mund të flasë pa e pasur raportin e komisionit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)