Kulturë

Publikohen sekuencat e para të filmit “Fast & Furious 9”

Traileri fillestar i këtij projekti, e shfaq personazhin e njohur me emrin Dom (të portretizuar në film nga Vin Diesel) të pensionuar nga garat e shpejta me vetura dhe duke rregulluar traktorë në një fermë, ku jeton i qetë me familjen e tij. Por, kjo nuk mund të jetë e tëra, pasi filmat “Fast & Furious” njihen për skenat aksion të mbushura me adrenalinë.

Një traileri i plotë i këtij projekti pritet të publikohet të premten, ndërsa filmi do të lansohet nëpër kinema më 22 maj të këtij viti.

Personazhi i aktorit të ndjerë Paul Walker, po ashtu ka mundësi të rikthehet në këtë vazhdim të nëntë në serinë e filmave “Fast & Furious”, gjashtë vjet pas vdekjes së tij në një aksident me veturë.

Ndërkohë, Cardi B po ashtu i është bashkuar kastës së aktorëve të këtij filmi, duke e bërë të ditur lajmin përmes një postimi në Instagramin e saj. Rep artistja e njohur amerikane, për herë të parë u shfaq me një rol të vogël në filmin “Hustlers”, ku luajti krahas aktoreve Jennifer Lopez dhe Constance Wu.

Përveç aktorit Diesel, në filmin “Fast & Furious 9” luajnë: Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Jordana Brewster, Chris Bridges (aka Ludacris), Nathalie Emmanuel, Helen Mirren, Charlize Theron, John Cena dhe Ozuna.