Kulturë

Shfaqja “Gravitet” sjell para gjilanasve historinë nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët

 

Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, që është një nga katër shtyllat e Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”, është dhënë shfaqja “Gravitet” me tekst të Lirak Çelajt, regjinë e së cilës e ka bërë Florent Mehmeti, kurse në role janë paraqitur aktorët e Teatrit “Oda” nga Prishtina, Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.

Në këtë shfaqje, një histori shumëvjeçare e popullit shqiptar është mëtuar të tregohet brenda pak minutave. E përbërë nga skena – kronika reale që kanë ndodhur gjatë historisë sonë që nga periudha e Skënderbeut e tutje, në shfaqje është pasqyruar historia nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar, që nis me epokën e lavdishme të Skënderbeut, por që shpata dhe përkrenarja e të cilit gjendet në Muzeun e Vjenës dhe historia vazhdon deri në ditët tona - historia më e re e Kosovës.