Në qendër ndodhet Kalaja, e rreth 500 metra larg saj, është Ura e Vjetër e Gurit.
Që të dy këto monumente, janë simbole të trashëgimisë kulturore e vjetërsisë që ka qyteti i Vushtrrisë, raporton emisioni SOT në KTV.
Edhe kjo urë, sikurse disa monumente të tjera në Kosovë, është bërë e njohur në saje të shumë legjendave për të.
Madje, sipas disa gojëdhënave, thuhet se ura ka një histori të ngjashme me atë të Kalasë së Rozafatit.
Vjetërisa e kësaj ure mbetet e padiskutueshme, sipas historianëve.
Galip Avdiu ka disa vite prej se është mësimdhënës i Historisë në një nga shkollat e qytetit, ku ndër të tjera prioritet i jep njohjes me historinë e vendit.
Ai thotë se Ura e Vjetër e Gurit, ka qenë urë lidhëse mes zonave përreth.
Nisur nga fusha së cilës i përkasin, historianët thonë se mundohen të hedhin dritë mbi teoritë e shumta që qarkullojnë sa i përket ndërtuesve të parë të kësaj ure.
Ndër ta edhe Izet Miftari, i cili fokus i jep ndërtimit arkitektonik të Urës si dhe ndërhyrjeve të kohëpaskohshme të bëra në të.
Fotografitë e shumta të Urës së Gurit të Vicianumit të dikurshëm e Vushtrrisë sotme, paraqesin dëshmi të ndërtimit të saj të hershëm.
Fotografitë vënë në pah edhe dallimin struktural të ndërtimit që ka kjo urë karshi urave të tjera në vend.