Në një vend diku mes kufijsh, një grusht njerëzish përpiqen t’i ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut, shkruan sot Koha Ditore.
Me këtë përmbajtje, “Gurët e vetmisë” i Enkel Demit ka fituar çmimin e romanit në “Çmimet Kombëtare të Letërsisë” për vitin 2018. Përveç Demit, të nominuar ishin edhe 17 shkrimtarë, studiues e përkthyes në garën për gjashtë çmimet kryesore që ndan Ministria e Kulturës në Republikën e Shqipërisë.
Në ceremoninë festive të mbajtur të mërkurën mbrëma në sallën “Queen Geraldine A” në Hotel “Plaza”, juria e përbërë nga Visar Zhiti, Dhurata Shehri, Brikena Çabej, Riza Braholli dhe Alda Bardhyli ka kumtuar fituesit e çmimeve për romanin më të mirë, tregimin, vëllimin poetik, veprën më të mirë eseistike, krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj dhe përkthimin nga gjuha e huaj.
Në emër të jurisë, Alda Bardhyli ka thënë se vlerësimet janë bërë pas leximit të 650 titujve të botuar gjatë vitit 2018. Kjo, sipas saj, ka bërë që juria të jetë me fat që ka pasur mundësinë që të shijojë kënaqësinë e leximit.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministrja Elva Margariti ka thënë se ndarja e këtyre çmimeve është një rrugëtim që bashkon njerëzit e mirë.
“Të gjithë neve na bashkojnë dashuria për librin dhe promovimi i letërsisë së mirë shqipe. Padyshim ky është një kontribut edhe në kultivimin e shijeve të brezit dhe lexuesve të rinj”, ka thënë ajo.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)