Suedezja që erdhi për të qëndruar tre muaj dhe mbeti në Kosovë

Suedezja që erdhi për të qëndruar tre muaj dhe mbeti në Kosovë

Argjirë Zhushi 22 January 2020 22:22

Ajo nuk njihet vetëm si një bionde e huaj karakteristike që gjatë tërë kohës flet për Kosovën.

Gjithmonë e buzëqeshur dhe pozitive, Mirja Lakso tashmë është bërë personazh i njohur në rrjetet sociale.

Gazetarja suedeze ka zgjedhur Kosovën për të punuar e për të jetuar.

“Njerëzit këtu kanë shumë dashuri për shtetin dhe vendlindjen e tyre. Nëse shkon në një restorant për të darkuar dikush është gjithmonë duke performuar, dhe pas dy pijeve e gjithë tavolina është në këmbë duke kënduar e vallëzuar”, ka thënë Lakso.

“Këtë gjë nuk e sheh në Suedi. Apo në tubime… për shembull, në tubimin e Albin Kurtit njerëzit rrinin mbi përmendore duke valëvitur flamujt. Ne nuk jemi kaq ekspresivë, nuk jemi tradicionalë. Nuk dimë kaq shumë për kulturën dhe historinë tonë, sepse nuk jemi aspak nacionalistë”, tregoi ajo në një intervistë për “Express” të KTV-së.

“Nëse pyet suedezët se përse e festojnë Ditën nacionale të Suedisë, mendoj se 80% nuk do të kishin ide”, shtoi gazetarja suedeze.

Përveçse argëtuese e informuese, videot e Laksos kanë ngritur pyetje e kanë zgjuar kureshtjen e ndjekësve të saj, rreth Prishtinës dhe jetës në Kosovë.

“Një nga qëllimet e mia për këtë vit është të realizoj sa më shumë video. Në rrjete sociale, në internet, çdo gjë është duke u zhvilluar në formë të videos. Videot dallojnë prej shkrimeve, veçanërisht për mua që shkruaj në gjuhën angleze e kam edhe lexues suedezë”, sqaroi Lakso.

“Jo secili e lexon një shkrim të gjatë, aq më pak kur nuk është i shkruar në gjuhën tënde amtare. Po përpiqem ta kombinoj shkrimin me video, të cilat do të më duhen edhe për realizimin e një dokumentari”, tha suedezja.

Unë kam ndjekës nga e gjithë bota dhe ata janë shumë kureshtarë për Prishtinën dhe Kosovën. Kur isha në Suedi për të kryer një operacion në krah, mjekët më pyesnin për Kosovën derisa isha e shtrirë në sallën e operimeve. Si është Kosova tani? Kur është zhvilluar lufta? Si janë njerëzit? E si jeton atje?”, tregoi ajo.

Gjithmonë me një mision të caktuar, Lakso ka lëvizur nga vendi në vend.

Në kërkim të satisfaksionit profesional dhe vendit që ka nevojë për të, ajo ka ndërruar shtete e profesione. Dikur artiste e muzikante, ajo sot njihet për luftën e saj për barazi gjinore.

Por çfarë e solli Lakson në Kosovë nga Koreja Jugore, ku gëzonte reputacion si këngëtare e tekst-shkruese.

A mund të na tregosh më shumë rreth rrugëtimit tënd atje?

Lakso: Ka qenë një kohë shumë interesante. Para se të jetoja në Korenë Jugore, kam qenë e vendosur në New York, ku kam shkruar tekste muzikore K-pop, një zhanër muzikor i përhapur në të gjithë Azinë.

Nga studiot e New Jerseyt, punoja për anën tjetër të botës dhe kjo më bëri të shpërngulem në Korenë Jugore, të vendosem në Seoul dhe të studioj gjuhën. Atje kam studiuar, kam mësuar koreanishten, kam performuar muzikën time dhe kam shkruar për media e artistë të tjerë.

Përse e ke zgjedhur gazetarinë?

Lako: Gjithmonë kam qenë tregimtare. Gjithmonë kam dashur të punoj mbi paqen e të drejtat e njerëzve, gjë që jam munduar ta bëj edhe si artiste. Por, me kohë, kam ndierë që duhet të fokusohem më shumë në shkrimin dhe realizimin e video-materialeve të mia.

Para pop-it, unë kam qenë muzikante e jazz-it… që do të thotë se kam performuar për dy njerëz (qesh) në një bar të vjetër.

Me të kaluar në pop, fitova më shumë audiencë, por prapë ndihesha e kufizuar. Të punosh mbi të drejtat e njeriut është diçka më e madhe, më përmbushëse sesa të jesh vetëm artiste.

Jam ende artiste dhe këtë gjë e përdori në gjithçka që bëj.

E përmende që e flet gjuhën koreane. Gjatë qëndrimit tënd në Kosovë a ke arritur të mësosh ndonjë fjalë?

Lakso: Mendoj se gjuha shqipe është shumë e vështirë për t’u mësuar, por di të them “Të dua”…

Di edhe disa fjalë të tjera, të cilat nuk më lejohet t’i them në televizion. Miqtë e mi më kanë thënë të mos i përmend.

“Të dua” mjafton!

Lakso: Pra, ti ke ardhur në Kosovë dhe ke vendosur të qëndrosh. Kur të kam kontaktuar për herë të parë, më ke thënë se nuk ke ardhur në vizitë, por jeton këtu.

Po, jam vajzë e “Bregut të Diellit”.

Po, jemi fqinje! Pra fqinje e dashur, përse e ke zgjedhur Kosovën dhe çfarë të ka bërë të qëndrosh këtu?

Lakso: Më erdhi si mundësi përmes Ambasadës së Suedisë, kur po kërkoja të qëndroja në Evropën Lindore, Lindjen e Mesme e në Ballkan. Gjithçka nisi me punën time në ICK. E nisa vetëm si periudhë tremujore, sepse nuk e dija nëse do të më pëlqente vendi, por pas vetëm disa javëve vendosa të qëndroja. Tani jetoj këtu dhe më pëlqen shumë. Mendoj se Kosova është vend interesant në shumë mënyra.

Gjatë qëndrimit në Kosovë do të jesh e fokusuar tek të drejtat e grave dhe barazia gjinore në punë, pse?

Lakso: Kur vjen puna te barazia gjinore, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën, problemi më i madh për gratë është mungesa e të hollave, ndikimit dhe fuqisë. Në këto kushte është e vështirë të largohesh nga një lidhje abuzive, është e vështirë të nisësh biznesin tënd. Edhe nëse divorcohesh, shumë shpesh prona u mbetet burrave.

Është e vështirë, probleme të shumta kanë edhe gratë në Suedi.

Këtu ka shumë për të punuar dhe për këtë arsye jam duke bërë një organizim. Dëshiroj t’i vetëdijesoj njerëzit dhe t’i sjell ekspertët që kam intervistuar gjatë këtyre dy muajve të fundit, gjë që ka qenë gjëja e parë që kam bërë sapo kam ardhur në Kosovë.

Përmes ngjarjes që do ta organizojë, Lakso ka për qëllim të hapë diskutim dhe të adresojë çështje rreth barazisë gjinore në fuqinë punëtore.

E emërtuar “Barazi në punë”, kjo ngjarje do të mbahet më 28 janar në hotelin “Sirius”.

Ajo po ashtu planifikon që të gjithë punën e saj ta përmbledhë në një dokumentar.

“Gjatë këtij viti sfida më e madhe për mua do të jetë realizimi i një dokumentari. Dua të shkoj anembanë Kosovës, nëpër fshatra, në Dragash, në Mitrovicë, gjithandej. Dua t’i intervistoj njerëzit, të filmoj e të tregoj se Kosova nuk është vetëm Prishtinë, Swiss Diamond, Soma… e të gjitha vendet e tjera të bukura. Njerëzit kanë probleme të shumta, në disa vende nuk ka as ujë, e në disa gratë nuk dalin nga shtëpitë e tyre pa një shoqërues mashkull. Kur u tregoj njerëzve për këto gjëra, mendojnë se jam duke gënjyer”, ka thënë Lakso.

Ajo, po ashtu, ka thënë se “njerëzit në Prishtinë jetojnë në një flluskë dhe jo të gjithë i dinë vuajtjet e grave nëpër fshatra. Një mike e imja pati organizuar një takim me disa gra nga Dragashi. Me atë rast këto gra të moshës së mesme, të martuara, janë takuar për të pirë kafe jashtë shtëpive të tyre për herë të parë. Mendoj se ky fakt tregon shumë”. Përveç preokupimit të saj me barazinë gjinore dhe gratë kosovare, Mirja gjen kohë edhe për të shijuar ato që ofron Prishtina”.

Çfarë të pëlqen kaq shumë në Soma?

Lakso: Në Soma më pëlqejnë dekori, ambienti e ndriçimi. Disa restorante në Prishtinë kanë ndriçim shumë të bardhë, ndërsa unë preferoj ndriçim më të verdhë, më të zbehtë. Ushqimi është i mrekullueshëm, më pëlqen shumë dhe këtu takohem me të gjithë miqtë e mi. Është vend bashkimi, më pëlqen shumë.

Interesat dhe pëlqimet e Laksos përfshijnë gjithçka artistike e në Kosovë ajo i gjen të gjitha.

Meqenëse gjatë shkollimit të mesëm ka studiuar muzikën ballkanike, ajo e vlerëson shumë lart muzikën e mirëfilltë shqipe.

Dëshirë e saj është edhe njoftimi me literaturën shqiptare, e sidomos me librat e Ismail Kadaresë.

“Më pëlqen Kosova shumë. Nëse nuk keni qenë këtu ende, ju lutem, ejani dhe vizitojeni. Natyra është shumë e bukur, mund të bësh hiking, ushqimi është i mrekullueshëm, çmimet janë të volitshme dhe njerëzit janë më të mirët. Njerëzit këtu janë shumë të dashur. Ejani dhe vizitojeni Kosovën!”, tha gazetarja suedeze.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Tosi24/01/2020 10:52

Eshte per te ardh keq qe te huajt vine ne vendin tone edhe mundohen te na mesojne se si duhet jetuar kinse ne jeni te prapambetur, le te shkon kjo e nderuar edhe le ti rregullon problemet me barazi gjinore ne vendin e vet para se te vije e te na mesoj neve. Nje femer dhe nje mashkull kan te drejta te barabarta si p.sh te shkollohen, te posedojne te mira materiale etj por jan disa pune qe mashkujt mund ti bejne e nje femer jo si dhe e kunderta, si p.sh ne ndertimtari shumica e femrav nuk mund te martin sende te renda kure shumica e mashkujve po, ne ket rast nuk mundet te jet i barabart ne pages nje mashkull me nje femer sepse nje mashkull kryen pune me te renda. Nje femer mund bart ne trupin e saj nje femije kurse nje mashkull nuk mundet. Perfundimi kan drejta te barabarta ne pergjithesi por nuk jan njesoj sikur po pretendojne keto organizata féministe. Ne qofte se jan te barabarte ashtu sikur po mendojne eshte shume gabim.

Shto koment

Të ngjashme