Kulturë

Teatri në kapitullin e radhës për dy pozitat kryesore

Foto: Driton Paçarada / Koha

Pritjet që institucioni më i lartë teatror në vend t’i plotësojë dy pozitat më të larta menaxheriale së shpejti do të marrin epilog. Kësaj do t’i çelë rrugë hapja e konkursit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm dhe të udhëheqësit artistik që Ministria e Kulturës planifikon që kjo të bëhet gjatë kësaj jave.

Derisa drejtorit të gjertanishëm të TKK-së, Agim Sopi, vetëm të hënën i ka skaduar mandati, ai i udhëheqësit artistik është vakant prej qershorit të vitit të kaluar. Mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që më 17 tetor Këshilli Drejtues më shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë këtyre viteve aspak më stabile nuk ka qenë as pozita e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, Agim Sopi. Këshilli Drejtues e kishte shkarkuar nga ky funksion në mars të vitit 2018, por vetëm disa muaj më vonë ai ishte rikthyer në po të njëjtën pozitë pas një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil. Çështja e dy pozitave kryesore viteve të fundit ka qenë “reprizë” e shpeshtë në TKK. Është shoqëruar me akuza, anulim procedurash e shkarkime.

Vetë Sopi të martën nuk ka pranuar të komentojë vonesat në shpalljen e konkurseve për dy pozitat kyç menaxheriale dhe as nëse kjo gjendje e ka dëmtuar performancën e TKK-së.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)