Piktori Zeqrija Rexhepi shpallet fitues i “Penelit të Flakës”

Piktori Zeqrija Rexhepi shpallet fitues i “Penelit të Flakës”

21 January 2020 13:01

Me qëllimin që të mbledhë veprat më të mira artistike brenda vendit, manifestimi “Flaka e Janarit”, në prag të dekadës së tretë, ka prezantuar krijimtari letrare, muzikore dhe të artit pamor.

E themeluar nga Shoqata Kulturore e Gjilanit, ky aktivitet kulturor në çdo janar nis rrugëtimin e saj duke promovuar forma nga bota e artit.

Edicioni i njëzetenëntë i kësaj ngjarjeje i është kushtuar heroit Abdullah Tahiri, ndërsa ajo u konsiderua se përpos që prezanton vlera artistike, me përkushtim kujton edhe martirët që flijuan jetën për Kosovën e pavarur, transmeton emisioni "Express" në KTV. 

Të premten, në Galerinë e Qytetit të Gjilanit, është mbajtur njëra nga shtyllat e “Flakës së Janarit”.

Dyzet e katër vepra të artit pamor janë prezantuar përpara publikut në “Penelin e Flakës”.

Piktori Zeqirja Rexhepi ka arritur të jetë fitues i këtij manifestimi.

Artistët Ragip Berisha, Eshref Qahili dhe Muhamet Aliu, që ishin anëtarë të jurisë së kësaj ekspozite kolektive, janë përcaktuar që piktori Rexhepi të triumfojë në këtë garë, ndërsa kanë shpërblyer me çmime edhe piktoret Bardha Buza dhe Albulena Neziri.

Organizatorët kanë thënë se “Peneli” i sivjetmë kishte pasur prurje të mëdha, por, sipas tyre, ishte e pamundur që të pranoheshin të gjitha punimet në hapësirën e vogël të kësaj galerie.

Edicioni i njëzetenëntë i “Flakës së Janarit” do të vazhdojë me festivalin e dramës shqipe “Talia e Flakës”, ndërkohë ajo pritet të përfundojë me aktivitetet e “Penës” dhe “Fest Flakës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme