Kulturë

Maksut Vezgishi dhe Jehona Shyti, përfaqësues të Kosovës në Bienalen e Venedikut

Descriptive Text

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka emëruar komisionerin dhe kuratorin për edicionin e 17-të të Bienales së Venedikut për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës për vitin 2020.

Jehona Shyti është emëruar komisionere e Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, që për këtë vit mbahet Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, për të 17-tën herë me radhë.

Ndërsa, arkitekti Maksut Vezgishi është emëruar kurator i Pavijonit të Kosovës në këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare.

Tema e sivjetme e ekspozitës, të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venedikut është “How we can live together”, kështu që edhe tema me të cilën do të përfaqësohet Republika e Kosovës në këtë ngjarje do të jetë brenda këtij koncepti.

Në bazë të vendimit të ministrit, komisionerja ka për detyrë të punojë ngushtë me kuratorin dhe të mbështesë ekzekutimin dhe menaxhimin e projektit me të cilin do të përfaqësohet Kosova në Bienale si dhe të zhvillojë komunikimin e dyanshëm me zyrtarët e Venedikut dhe me opinionin e gjerë.

Ndërkaq, kuratori ka për detyrë që përmes kreacionit të tij të zbatojë dhe realizojë projektin e Kosovës në Bienale, të cilën do ta zbatojë arkitekti prizrenas Maksut Vezgishi.