Pesë filma të prodhuar nga kinematografia evropiane janë renditur për t’u shfaqur në programin e javës së filmit evropian.
Gjatë pesë netëve në ekranin e kinemasë “Armata”, Shtëpia e Evropës do të transmetojë filma të metrazhit të gjatë, të cilët kanë të bëjnë me realitetet sociale.
Të drejtat e komunitetit LGBT, papunësia, fëmijëri të trazuara dhe shtete që kërkojnë pavarësinë, janë tema që shpalosen në këto projekte filmike të seleksionuara nga Komisioni përzgjedhës, për t’u transmetuar para shikuesve në Prishtinë, raporton “Express” i KTV-së.
Filmi “Kushtetuta” me regji të kroatit Rajko Grlic, ka hapur programin e kësaj ngjarjeje të filmit.
Historia e një transvistit, i cili njëkohësisht është profesor i historisë në Kroaci, paraqitet në këtë film, ku përshkruhen sfidat e personave të komunitetit LGBT.
Si një mundësi të mirë për ta njohur filmin evropian, e kanë konsideruar njohësit e kinematografisë këtë ngjarje që për shikuesit vendas sjell prodhime të veçanta.
Nga data 13 e deri më 17 janar, filmat nga Java e Evropës do të shfaqen në kino “Armata”, ndërkohë prej datës 20 e deri më 22 ata do të barten për t’u prezantuar në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut.