Prishtinë, 14 janar – “Agnus Dei” e Memli Kelmendit është interpretuar deri më tani 36 herë jashtë vendit. Vepra e cila premierën e pati më 20 tetor të vitit 2015 në Santiago në Kili, në kuadër të festivalit “Temporada Coral de Primavera”, ku u interpretua nga “Johann Consort”, nën dirigjimin e Jorge Contreras, po vazhdon rrugëtimin e vet.
Ansambli “Sottovoce Ensamble”, me të cilin kompozitori ka vite që po bashkëpunon, do ta riinterpretojnë para publikut francez më 19 janar në Kishën e Saint-Thibault në veri të Francës. I njëjti ansambël pati sjellë premierën e kësaj vepre në Francë, vitin e kaluar, në muajin gusht, në kuadër të festivalit “Les Folles Journees Polyphoniques”, që mbahet në Marseille.
Për herë të parë kompozitori Kelmendi kishte bashkëpunuar me ansamblin në vitin 2017 kur e kishte kompozuar veprën “Silentium Est Pax” (Heshtja është paqe).
Në njoftimin e koncertit të kësaj të diele, ku është përfshirë edhe vepra e Kelmendit, është shkruar se programi është përzgjedhur për të shfaqur një diversitet muzikor.
Kompozitori Memli Kelmendi është shfaqur i lumtur që rrugëtimi muzikor i kompozimit të tij “Agnus Dei” po vazhdon edhe në vitin 2020.
Kelmendi është i lindur në Pejë, ndërsa studimet universitare për dirigjim (vokale dhe instrumentale) i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në klasën e dirigjentit të mirënjohur Bajar Berisha, ndërsa për kompozim në klasën e Darko Marinovskit. Ai aktualisht po bën studime të doktoratës për dirigjim të korit në klasën e Sasho Tatarchevskit në Universitetin e Shkupit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)