Kulturë

Ministria planifikon t’i kthehet restaurimit të “Eminxhikut” në pranverë

 

Janë bërë më shumë se dy vjet prej kur një nga dy ndërtesat e Muzeut Etnologjik në Prishtinë nuk është e qasshme për vizitorë. E rrethuar si vendpunishte, asaj i ka ngelur vetëm skeleti. Ashtu do të jetë edhe gjatë këtij dimri. Sa i përket vitit të kaluar, Ministria e Kulturës kishte ndarë vetëm 30 mijë euro për restaurimin e nisur qysh në vjeshtën e vitit 2017, e që ishte ndërprerë në fund të atij viti. Më pas zyrtarët ministrorë kishin ardhur në përfundim se ajo shumë nuk ishte e mjaftueshme dhe gjatë gjithë vitit nuk është punuar fare. Por në bazë të planifikimeve aktuale, nëse gjërat nuk ndërrojnë pas miratimit të buxhetit nga qeveria në ardhje, puna në kompleksin “Eminxhiku” do të nisë pas përmirësimit të kushteve meteorologjike. Por se kur do të jetë krejtësisht në dispozicion të vizitorëve - monumenti që është renditur ndër 12-të muzetë më të mirë në Evropë, nga e përditshmja britanike “The Guardian”, nuk dihet ende.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se projekti është gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisej puna. Planet e MKRS-së ishin që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar të shtoheshin mjete për “Eminxhikun”, që ndodhet në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër “. Por në korrik kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. MKRS-ja kishte bërë një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por nuk ishte aprovuar.