Akos Csarno në vitin 1999 ishte rojtar në një qendër kulturore në Eger, në veri të Hungarisë. Muzikantët nuk e kishin shumë në qejf, përfshirë këtu edhe anëtarët e grupit “Kerekes Band”, të cilët në atë kohë shkonin aty shumë shpesh për të ushtruar e luajtur muzikë. Csarno ishte ai që çdoherë u thoshte: “Hajde, mjaft keni ushtruar, duhet që ta mbyllim tani. Mjafton për sot”, shkruan sot Koha Ditore.
Ani pse shumëkujt mund t’i jetë dukur si një njeri që nuk e ka shumë në qejf muzikën apo si rojtari i bezdisshëm, Csarno tingujt i mbante në zemër. Kur kishte kohë të lirë ai i binte violës. Ndonjëherë edhe në barin e qendrës gjatë pauzës. Duke pirë verë të kuqe, të preferuarën e tij, ai luante në violë tinguj tradicionalë që kishte mësuar. Pikërisht atë vit Zsombor Feher, lideri i grupit “Kerekes Band” e kishte vërejtur duke bërë muzikë. I habitur që Csarno nuk kishte treguar asnjëherë se dinte që të luante, e ftoi që t’i bashkohej grupit. Prej atij viti anëtarët e grupit janë të njëjtët.
Përveç Akos Csarno e Zsombor Feher, grupi ka në përbërje edhe Viktor Feherin, Csaba Namorin dhe Peter Sohajdan. Pesëshja sjell një frymë unike të folklorit hungarez. Këtë e dëshmoi edhe gjatë dhjetorit me koncertin që mbajti në Prishtinë në kuadër të organizimit për festat e fundvitit “Prite n’shesh” në Prishtinë. Koncerti shënoi edhe përfundimin e “Javëve të kulturës hungareze”.
Shkrirja e stileve
Grupi i themeluar në vitin 1995 fillimisht quhej “Kerekes Egyuttes” dhe kishte filluar duke pasur si bazë muzikën e Transilvanisë, regjion historik në Rumaninë e sotme, qendër e muzikës tradicionale nga vende të ndryshme, përfshirë Hungarinë, Gjermaninë, Serbinë, Sllovakinë e muzikën rome. Pastaj më vonë kur grupi filloi që të këndonte këngë më të përditësuara me efekte të ndryshme muzikore e ndryshoi emrin në “Kerekes Band”.
“Që të tingëllojë si një grup më ndërkombëtar”, thotë Akos Csarno.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)