Kulturë

Komunës së Prishtinës i kontestohen kriteret dhe përzgjedhja e përfituesve në kulturë

Foto: Koha

Prishtinë, 25 dhjetor – Me një muaj vonesë, Komuna e Prishtinës ka publikuar listën e përfituesve të fazës së dytë të subvencioneve kulturore.

Megjithëse ishte paraparë që ajo të publikohej në fund të nëntorit, lista është publikuar në fund të dhjetorit pa një sqarim paraprak nga autoritetet komunale.

Janë 42 projekte kulturore që do të përkrahen me 129 mijë e 690 euro.

Përveç organizatave joqeveritare, individëve dhe bizneseve, përfitues sipas listës së publikuar del të jenë edhe institucionet vartëse të Komunës.

Disa prej subjekteve joqeveritare konkurruese e konsiderojnë të paqëndrueshëm kriterin e Komunës që OJQ-të, bizneset dhe individët të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit. Ankesa ka edhe për mbështetjen e projekteve filmike, teksa ekziston fondi i veçantë i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Për këtë arsye, disa nga konkurruesit kanë kontestuar mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve.

Florent Mehmeti ka aplikuar për teatrin “Oda”, dhe në cilësinë e krijuesit, porse nuk ka fituar asnjë cent nga buxheti komunal. Me “Odën” ai synonte fuqizimin e artistëve të rinj skenikë të Prishtinës dhe ka kërkuar rreth 12 mijë e 700 euro. Ndërsa si individ ka kërkuar mbështetje me rreth 11 mijë euro për prodhimin e shfaqjes me titull pune “Sikur...?”. Por asnjëra prej tyre nuk është aprovuar, ndaj ai fajin ia lë Komunës.

Sipas kritereve të konkursit “OJQ-të, bizneset dhe individët mund të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit nga Komuna e Prishtinës”. “Oda” në fazën e parë të thirrjes ishte mbështetur me 5 mijë euro për festivalin e artit në hapësirën publike “HAPU”.

Por Mehmeti e konteston këtë kriter, duke insistuar që Komuna të kërkojë cilësi dhe të mos mbetet peng i konkurrimit më shumë se një herë në konkurse të tilla.

I pakënaqur me përzgjedhjen e përfituesve është shprehur edhe drejtori i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj.

Në thirrjen e parë, kjo qendër ka marrë 2 mijë euro për organizimin e festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip” të vitit 2019, teksa në fazën e dytë është eliminuar. Ai ka thënë se Komuna do të duhej t’i përjashtonte nga konkurrimi projektet filmike.

E Komisioni vlerësues i Komunës është përbërë nga Lindita Hajdari-Salihi, nga Drejtoria e Kulturës, kryetare, Burbuqe Berisha e Alban Nimani, ekspertë të jashtëm, si dhe Arjona Caraku nga Drejtoria e Kulturës, dhe Lumnije Salihi nga Drejtoria e Financave.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)