Kulturë

Skenari i Zgjim Terziqit do të zhvillohet edhe në Berlinale

Skenari i Zgjim Terziqit do të zhvillohet edhe në Berlinale

Festivali i njohur i filmit, “Berlinale”, ka zbuluar listën me emrat e pjesëmarrësve në seksionin që titullohet “Script Station” të “Berlinale Talents” dhe regjisori e skenaristi Zgjim Terziqi është në mesin e tyre. Me skenarin “2000: A post war Odyssey”, Terziqi ka bindur jurinë që të bëhet pjesë e edicionit të ardhshëm që do të mbahet në shkurt të vitit 2020.

Ai e ka konsideruar një sukses të madh mundësinë që i është dhënë për të hyrë në mesin e dhjetë skenaristëve që do të jenë pjesë e këtij programi. Me të njëjtin skenar Terziqi kishte arritur që të jetë në mesin e tetë fituesve të zgjedhur në konkursin e sivjetshëm të Qendrës Kinematografike të Kosovës për zhvillim skenari. “Berlinale” këtë vit shënon edicionin e 70-të dhe mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars.